Ne mund të jemi vetëm 30 sekonda larg Luftës së Tretë Botërore, ndërkohë që tensionet për Sirinë vazhdojnë të ndizen flakë, raporton Mirror.

Një koalicion i udhëhequr nga SHBA deklaroi se ka kryer 24 sulme mbi Shtetin Islamik të shtunën, ndërkohë që Rusia thotë se ka kryer 55 sulme- dhe presidenti Vladimir Putin e talli Perëndimin se nuk po merr ‘rezultate’ nga fushata e tyre.

Por rebelët në terren thonë se sulmet e Moskës, të kombinuara me sulmet tokësore nga despoti sirian, Bashar al-Assad, kanë shënjestruar edhe grupet rebele, jo vetëm Shtetin Islamin, përfshi këtu luftëtarët e stërvitur nga SHBA.

Hapësira ajrore siriane po bëhet gjithmonë e më e ngjeshur, komandantët ushtarakë druhen nga një përplasje mes avionësh, helikopterësh, dronësh, raketash dhe artilerie, çka do kishte pasoja globale.

Një ekspert ushtarak tha se, të jesh racional në këtë hapësirë ajrore komplekse, nuk është e mundur më.

“Është sikur të zgjidhësh një kub Rubiku që lëviz me shpejtësinë Mach 1.5”.

Disa avionë luftarakë amerikanë mbi Siri kanë braktisur misionet e tyre dhe madje janë shmangur ashpër për të mos u përplasur me avionët rusë.

Pamjet e tmerrshme të radarëve në Komandën Qendrore Amerikanë në Katar tregojnë se sa afër ishin avionët amerikanë F-16 me avionët rusë Su-24 mbi Siri.

Në një rast të tillë të tmerrshëm, gjenerali Charles Brown, që udhëheq fushatën amerikane mbi Siri, thotë se avionët rusë dhe amerikanë ishin vetëm 20 milje larg njëri-tjetrit, çka me shpejtësinë me të cilën lëvizin, do të thotë 30 sekonda larg përplasjes katastrofike.

Ndërkohë që aeroplanmbajtësja kineze Liaoning është stacionuar në brigjet e Sirisë, duke u mundësuar avionëve J-15 që të kryejnë sulme ajrore, frika për gabime që vijnë brenda të qindtave të sekondit është rritur ndjeshëm.

Andrew Foxall, një ekspert për Rusinë në “Henry Jackson Society” thotë se një gabim mund të sjellë një incident diplomatik me përmasa katastrofike.

Por makthi është se kjo luftë, e nisur si një betejë kundër ISIS, në fakt mund të përfundojë në një konflikt gjithëpërfshirës.

“Rusia ka një objektiv tjetër nga NATO, që synon ndryshimin e regjimit dhe një demokraci liberale në Siri. Por interesi i Kremlinit është që të ruajë një regjim pro-rus në Siri,” thotë Foxall.

Ndërhyrja e Kinës i ka komplikuar gjërat.

Po ashtu ka shqetësim se Rusia po e zgjeron ndikimin në rajon, veçanërisht mes shitëve myslimanë në Irak dhe Iran, që urrejnë ekstremistët suni si ISIS.

Me Iranin që po lejon Rusinë të fluturojë në hapësirën e tyre ajrore, dy rivalitete të fuqishme po shfaqen në rajon, duke të kujtuar atë që ndodhi përpara Luftës së Parë Botërorë.

“Nuk di të ketë një konflikt tjetër ku janë përfshirë kaq shumë interesa,” thotë Foxall.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: