Lufta e Ukrainës përballë agresionit rus pritet të marrë kthesë pas zhvillimeve të fundit në terren dhe mbërritjes së mbështetjes ndërkombëtare. Avionët e parë bombardues F-16 të furnizuar nga vendet perëndimore në Ukrainë fluturuan dje dhe sot mbi distriktin Kakhovka, në rajonin jugor të Khersonit të pushtuar nga Rusia. Njoftimi është bërë nga kreu i distriktit filorusi, Pavel Filipchuk, në kanalin e tij Telegram.

Filipchuk, i cituar nga agjencia Tass, ka thënë se fluturimet që kanë nisur që nga dita e djeshme, kanë për qëllim vetëm “mbjelljen e panikut”, ndaj i bëri thirrje popullatës që të qëndrojë e qetë. “F-16-të do të rrëzohen të gjithë dhe do të shkatërrohen”, tha ai.

Kherson Ukraine
Kherson Ukraine

Që nga dita e parë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Kievi ka kombinuar përpjekjet politike, diplomatike dhe ushtarake për të marrë F-16. Tani bombarduesit e parë janë në qiellin e Ukrainës dhe pritet që në të ardhmen të mbërrijnë më shumë, paralajmëroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në rrjetin social X.

“Që në ditën e parë të pushtimit rus në shkallë të gjerë, Ukraina u kërkoi partnerëve të saj të mbyllnin qiejt ose të siguronin avionë, ne e dinim se ishte e mundur, se bota kishte fuqinë për ta bërë këtë. Gradualisht, hap pas hapi, ne arritëm të arrijmë dhe ja rezultati, F-16 tashmë janë në qiejt e Ukrainës dhe do të ketë më shumë”, shkruan ai.

Ndërkohë, ushtria ukrainase prej dy ditësh ka nisur ofensivën brenda në territorin rus të Kursk, duke depërtuar ndjeshëm në brendësi të Rusisë jugore. Mësohet se Kievi po përdor armatime të rënda, përfshirë edhe raketat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb