Kievi dhe Praga kanë arritur marrëveshje për të prodhuar së bashku pushkë dhe municione brenda Ukrainës, kanë bërë të ditur kryeministrat e dy vendeve të martën, pas diskutimeve që kanë zhvilluar në Republikën Çeke.

Ukraina ka punuar në jetësim të industrisë së re të armëve, për të kufizuar varësinë ndaj ndihmës ushtarake të Perëndimit, prej kur ka nisur pushtimi rus në tokën e saj më 2022.

“Sot ne kemi arritur marrëveshje të rëndësishme, në mes tjerash, edhe në industrinë e mbrojtjes. Në Ukrainë do të ndërtohet një fabrikë e re fishekësh”, ka thënë kryeministri i Ukrainës, Denys Shmygal, në një konferencë për media.

“Marrëveshja e dytë është që kompania çeke Colt CZ Group të prodhojë pushkë në Ukrainë”, ka thënë ai në një konferencë të përbashkët me homologun e tij çek, Petr Fiala.

“Ukraina synon dhe ka potencial të bëhet arkë armësh për botën e lirë dhe ne jemi mirënjohës ndaj Republikës Çeke për mbështetjen në këtë drejtim”, ka thënë Shmygal.

Kompania çeke Colt CZ Group ka thënë përmes një deklarate se, njësiti i saj Sellier & Bellot do të bashkëpunojë me kompaninë ukrainase Ukroboronprom për prodhim të disa “llojeve të municioneve të kalibrit të vogël në Ukrainë”.

Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Çernohova ka thënë se një pjesë e prodhimit do të kryhet në Republikën Çeke ndërsa Ukraina do të jetë përgjegjëse për zhvillim.

Ajo ka thënë se në bisedimet e së martës janë përmendur edhe trajnimet e ushtarëve ukrainas në tokën çeke.

Çernohova ka thënë paraprakisht se vendi i saj planifikon të trajnojë rreth 4.000 ushtarë ukrainas këtë vit.

Republika Çeke ka ofruar mbështetje të madhe humanitare dhe ushtarake për Ukrainën, pas nisjes së luftës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: