Ministrja Delina Ibrahimaj, e ftuar në “Kjo Javë” në News24, theksoi edhe luftën ndaj informalitetit në biznes, një nga prioritetet e kryeministri Edi Rama dhe kësaj qeverie.
Ajo u shpreh se pjesë e luftës ndaj informalitetit, një betejë e lidhur ngushtë edhe me pensionet, është ulja e përdorimit të parasë cash.
“Ekonomia informale ndër vite ka ardhur duke u reduktuar, megjithatë mbetet një sfidë për tu përballur.
Plani për reduktimin e informalitetin, që është i lidhur me pensionet, po funksionon.
Jemi duke nxitur pagesat elektronike, pasi informaliteti ulet nëpërmjet uljes së përdorimit të parave cash.
Po planifikojmë në bashkëpunim me bankat, një plan masash që të rritet përdorimi i mjeteve elektronike për pagesat. Reforma e inspektimeve është një reformë kryesore që biznesi ka nevojë, kjo është gjurma kryesore që unë do të lë, të gjitha janë të rëndësishme, por kjo mendoj që është pak më shumë”, tha ajo.
Sipas Ibrahimaj, klima e biznesit në vend momentalisht është pozitive, pasi edhe ekonomia është në rritje, duke nënvizuar gjithashtu se ka vend edhe për përmirësim.
“Klima e biznesit është shifra dhe perceptim. Ekonomia po rritet me shifra të larta në krahasim me rajonin dhe më gjerë, në Europë.
Në shifrat e fundit të INSTAT rritja është 4.06 përqind, pra kemi një nivel rritje mbi potencialin që ka vendi, pra ekonomia po performon mirë.
Mendoj që klima e biznesit sa kohë që ekonomia shkon mirë, është pozitive. Natyrisht ka vend për përmirësim”, tha ajo.
Ministrja është ndaluar në sfidat me të cilat është dashur të përballet ekonomia shqiptare gjatë viteve të fundit, si pandemia, kriza energjetike dhe tërmeti dhe mënyrën se si është përballuar çdo vështirësi.
“Mua nuk më pëlqejnë njerëzit që pëlqejnë veten, puna e gjithsecilit të vlerësohet me shifra, në Ministrinë e Financave jam përballur me krizën e çmimeve dhe të energjisë elektrike. Kam qenë pjesë e qeverisjes të të dyja krizave edhe tërmeti la shumë kriza qoftë humane, por edhe ekonomike shumë biznese u dëmtuan shumë fonde u alokuan në kuadër të rindërtimit. Shqipëria ndryshe nga shumë vende të tjera ka reaguar shpejt dhe amplituda e goditjeve ka qenë e ulët. Në pandemi ne patëm një rritje ekonomike që në tre mujorin e fundit të vitit 2020 pozitive, e rimori veten ekonomia. Në Shqipëri inflacioni në kohën e krizës energjetike nuk arriti shifra dyshifrore dhe nuk arriti të jetë në nivelet e rajonit apo vendeve të BE.
Fakti që Shqipëria edhe pas tyre goditjeve ka rimarrë një rritje më të lartë kjo tregon që ka pasur një punë të mirë, i gjithë kabineti”, vijoi ajo.
Ministrja ka folur edhe në lidhej me eksperiencën e saj personale me kalimin nga postimi ministres së Financave, në postin aktual.
“Në çdo punë që kam bërë ka pasur synim të bëj detyrën e të lë gjurmë në përmirësimin, kam pasur synim të bëj diçka më shumë drejt përmirësimit.
Kalimi nga ministria e Financave, për mua ka qenë sfidë sepse është një fushë ndryshe, por me të njëjtin grup interesi që është sipërmarrja.
Duke parë problematikat e sipërmarrjes nga eksperiencat e mia të mëparshme jam përqendruar në përmirësimin e disa proceseve që për sipërmarrjen janë të rëndësishme”, tha ajo.
(BalkanWeb)