Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ishte sot në terren, në kuadër të zbatimit të masave të Planit Operacional në luftën kundër informalitetit. Ministrja inspektoi disa subjekte që operojnë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, kryesisht në sektorin e hotelerisë.


Ministrja inspektoi një subjekt, i cili kishte rezultuar me probleme lidhur me zbatimin e ligjit, pasi nuk ishte regjistruar në QKB dhe në organet tatimore, ndërkohë të rezultonte i regjistruar si hotel në Booking.


Pasi subjekti u regjistrua në organet përkatëse dhe u pajis me NIPT, nga ana e administratës tatimore do të vijohet me zhbllokimin e aktivitetit.


Ministrja kërkoi nga të gjithë bizneset që të respektojnë rregullat dhe procedurat ligjore, ndërsa theksoi se regjistrimi i një biznesi duhet të ndodhë së pari në institucionet përkatëse shtetërore në vend, e jo në Booking, si mund të jetë rasti i një hoteli.

“Unë shpresoj që ju të paktën të kuptoni që kjo nuk është e qëllimshme, nuk është për të penguar punën tuaj.Përkundrazi, ne në momentin që ju u regjistruat dje po e zhbllokojmë menjëherë. Sot është e shtunë, i gjithë ekipi është duke punuar, të shtunë e të diel, dhe në këto situata ne jemi në ndihmën tuaj. Por është e pamundur që të regjistroheni më përpara në Booking përpara organeve administrative në Shqipëri dhe jo vetëm tatimore. Të gjithë regjistrimet janë të nevojshme”, u shpreh znj. Denaj.

Ministrja theksoi rëndësinë e regjistrimit të një biznesi jo vetëm në QKB dhe organet tatimore, por edhe resektimin e të gjithë rregullave të tjera që lidhen me funksionimin e një biznesi, si deklarimi i punonjësve, lidhja e kontratës së energjisë elektrike me OSHEE, si dhe e kontratës së furnizimit me ujë.