Ministria e Çështjeve Fetare në Gaza ka njoftuar se Izraeli gjatë luftës gjenocidale kundër palestineze në territorin e bllokuar ka shkatërruar 79 për qind të xhamive, si dhe tre xhami, transmeton Anadolu.
Ministria palestineze theksoi se ushtria izraelite gjatë bombardimeve të saj të intensifikuara ka rrafshuar 814 nga gjithsej 1.245 xhami të Gazës dhe ka dëmtuar rëndë 148 të tjera.
Së bashku me xhamitë, gjithashtu edhe tre kisha u shkatërruan, si dhe 19 nga 60 varrezat e territorit palestinez u shënjestruan qëllimisht.
Sipas ministrisë, kostoja financiare e vlerësuar e dëmit në pronat e ministrisë është 350 milionë dollarë.
Më tej, ministria gjithashtu akuzoi ushtrinë izraelite për përdhosjen e varreve, zhvarrosjen e trupave dhe kryerjen e akteve brutale të dhunës kundër atyre që vdiqën, si vjedhja e mbetjeve dhe gjymtimi i tyre.
Përveç shkatërrimit të vendeve të adhurimit, ministria palestineze theksoi se 11 objekte administrative dhe arsimore nën autoritetin e saj u shkatërruan, që përbënin 79 për qind të strukturave të tilla në Gaza.
Më tej, po ashtu theksohet se forcat izraelite vranë 238 punonjës të saj dhe arrestuan 19 të tjerë gjatë ofensivave tokësore në territor.
Ministria e Gazës dënoi sulmet në objektet fetare të Gazës dhe kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë qeveritë botërore dhe organizatat islame, të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur “luftën e vazhdueshme të shfarosjes”.
Izraeli vazhdon me ofensivën brutale ndaj Rripit të Gazës pas sulmit nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Sipas autoriteteve lokale, të paktën 41.800 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 96.800 të tjerë janë plagosur.
Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Për veprimet e tij në Gaza, Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.