Ushtria izraelite tha se ka shpëtuar edhe një tjetër person që ishte marrë peng nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – gjatë sulmit në Izrael më 7 tetor, sulm që nxiti luftën në Gazë.

Shpëtimi i pengut solli gëzim në mesin e izraelitëve, pas muajsh luftime, teksa dhjetëra persona ende po mbahen peng pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve.

Ushtria tha se Qaid Farhan Alkadi u shpëtua nga një tunel “në një operacion kompleks në jug të Rripin e Gazës”, pa ofruar më shumë detaje.

Nuk dihet nëse gjatë operacionit të shpëtimit të pengut u vra apo u plagos dikush.

Qaid Farhan Alkadi, 52 vjeç, ishte një prej tetë anëtarëve të minoritetit beduin arab të Izraelit, që u rrëmbyen më 7 tetor. Ai ishte duke punuar si roje në një fabrikë në Magen, një prej disa komuniteteve që u sulmuan nga radikalët e Hamasit. Ai ka dy gra dhe është baba i 11 fëmijëve.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se operacioni i shpëtimit ishte pjesë e “aktiviteteve të guximshme të ushtrisë që po kryen brenda Rripit të Gazës”, duke shtuar se Izraeli “është i përkushtuar që të shfrytëzojë çdo situatë për të kthyer pengjet”.

Hamasi rrëmbeu afër 250 persona më 7 tetor dhe vrau afër 1.200 të tjerë, shumica civilë.

Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë dhe janë zhvendosur 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës.

Izraeli beson se 108 pengje janë ende brenda Gazës dhe më shumë se 40 prej tyre janë të vdekur. Shumë pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor në këmbim të lirimit të palestinezëve të mbajtur nga Izraeli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb