Disa nga pajisjet ushtarake të furnizuara në Ukrainë nga Perëndimi janë bërë të padobishme pasi janë dëmtuar nga brejtësit, ka raportuar media franceze Le Figaro, duke cituar një ushtar nga Franca në radhët e forcave të Kievit.

Armët e prodhuara me materiale eko-miqësore të ofruara për ushtrinë ukrainase nga aleatët e huaj janë “ndonjëherë të papërshtatshme për frontin e luftës” dhe “nuk janë të vlefshme” në një konflikt aktual, raportohet në artikullin e publikuar nga gazeta franceze.

Si provë e pretendimit të saj, Le Figaro dha një dëshmi nga një ushtar francez i paidentifikuar, i cili u ankua se “brejtësit hëngrën kabllot në disa prej automjeteve” të përdorura nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.

“Disa nga mbështjelljet mbrojtëse të telave elektrikë janë prodhuar nga fibra misri”, e cila tërheq minjtë dhe brejtësit e tjerë, tha ai.

Le Figaro theksoi se “fenomeni është margjinal, por tregon historinë e përballjes së pajisjeve ushtarake perëndimore me realitetin”.

“Automjetet u projektuan si një vitrinë teknologjike, por, në baltë dhe të ftohtë, ato nuk funksionojnë gjithmonë”, citohet të ketë thënë ushtari francez.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb