Presidenti i SHBA, Joe Biden bëri një vizitë zyrtare në Gjermani. Në të ndër të tjera ai e vlerësoi Gjermaninë si aleaten më të ngushtë që kanë SHBA.
Auron Dodi nga DW e ka quajtur vizitën si vlerësim i SHBA për rolin e Gjermanisë në Evropë dhe në botë.
Daljana Sejdia: Si do ta karakterizoje vizitën e Presidentit amerikan Biden në Gjermani?
Auron Dodi: Përshëndetje. Vizita e Presidentit Joe Biden në Gjermani është një vlerësim i SHBA, për rolin e Gjermanisë në Evropë dhe në botë.
Në Berlin, Bideni e cilësoi Gjermaninë “më të ngushtin dhe më të rëndësishmin nga aleatët” e SHBA. Me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, Bideni tha se Gjermania i kujtoi të gjithë, pse është kaq e rëndësishme aleanca e NATO-s.
Presidenti amerikan theksoi se nën drejtimin e kancelarit Scholz Gjermania u ngrit në këmbë dhe u përball me momentin. Kancelarin Scholz Bideni e vlerësoi me fjalët se “ju treguat vendosmërinë, për ta përshtatur politikën e jashtme gjermane, me realitetet e reja dhe për të qëndruar përkrah Ukrainës fort dhe pa u lëkundur.”
“Ju treguat mençurinë, që të kuptonit se kjo luftë shënoi një pikë kthese në histori.”
Bideni tha në Berlin se Gjermania është angazhuar në mënyrë të pabesueshme për Ukrainën. “Amerika dhe Gjermania janë dy mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në luftën e saj për të mbijetuar si një komb i lirë dhe i pavarur”, tha Biden. Më tej ai çmoi mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Izraelit.
Si vlerësohet në Gjermani figura e Presidentit Biden?
Gjermania e vlerësoi Presidentin Biden me dekoratën më të lartë që ka: me “Nivelin special të Kryqit të Madh të Urdhrit të Meritës”. Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, në ceremoninë e posaçme në Pallatin Bellevue në Berlin tha si motivacion:“Për përkushtimin prej dekadash, ndaj aleancës transatlantike, udhëheqjen tuaj të shquar në momentin më të rrezikshëm të Evropës dhe shembullin tuaj moral që mbetet, për shërbim, sinqeritet dhe dinjitet”.
Gjermania ka vlerësuar deri tani me këtë dekoratë vetëm një President amerikan – nga 14 presidentë amerikanë që prej themelimit të RFGJ: Xhorxh Bushin e vjetër. Mbështetja e Bushit të vjetër qe vendimtare për ribashkimin e Gjermanisë, më 1989.
Dihet se Bideni është në fund të mandatit, punon tashmë për amanetin politik të tij. Pasi në 5 nëntor në SHBA zgjidhet një president i ri.
Që Bideni megjithatë erdhi në Gjermani, tregon se ai i sheh marrëdhëniet solide, SHBA-Gjermani, si pjesë të këtij amaneti.
Kujtoj që Presidenti i fundit i SHBA që e vizitoi zyrtarisht Gjermaninë ishte Barack Obama, tetë vjet më parë.
A u përmirësuan marrëdhëniet SHBA-Gjermani gjatë Presidencës Biden, në krahasim me administratën e kaluar amerikane?
Po, pa asnjë dyshim. Bideni korrigjoi jo vetëm stilin e komunikimit të administratës së kaluar amerikane me Berlinin, korrigjoi teprimet e panevojshme.
Por ushqeu një raport miqësor me kancelarin Olaf Scholz. Mbi të gjitha avancoi bashkëpunimi në aspektin politik dhe të sigurisë.
Në aspektin ekonomik SHBA vazhduan kryesisht politika proteksioniste.
Përmirësim i marrëdhënieve lidhet edhe me personin e Presidentit Biden.
Që është aktiv në politikë që në vitin 1972. Kur Gjermania ishte epiqendra e luftës së ftohtë. Si dëshmitar i kësaj kohe, Bideni kujtoi sot në Berlin se ribashkimi i Gjermanisë nuk i ringjalli rivalitetet e vjetra. Me këtë kishte parasysh frikën që shoqëroi në Evropë, në vitin 1989, ribashkimin e Gjermanisë.
Përvoja e jashtëzakonshme në politikën e jashtme – dhe në marrëdhëniet me Evropën, bën që Bideni, të shihet si ndoshta presidenti i fundit transatlantik amerikan.
Ku janë më pranë SHBA me Gjermaninë, se katër vjet më parë?
Gjermania është pranë me këtë administratë amerikane në politikën e sigurisë: në organizimin e mbështjetjes perëndimore për Ukrainën; në vijat e kuqe të angazhimit – në vendosmërinë për të penguar që NATO të përfshihet në luftë në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Zelenski paraqiti javën e kaluar edhe në Berlin një plan fitoreje të vendit të tij.
Pika kryesore e planit është kërkesa për anëtarësim të menjëhershëm të Ukrainës në NATO. Këtë e kundërshton si Uashingtoni, ashtu edhe Berlini.
Në pikëpamje ushtarake, a janë më pranë dy vendet?
Po. SHBA reaguan ndaj rritjes së peshës së Gjermanisë në politikën e sigurisë, me luftën në Ukrainë.
Prej vitit 2026, SHBA do të stacionojnë në Gjermani, për herë të parë që prej fundit të luftës së ftohtë, raketa me rreze të gjatë veprimi dhe raketa të tjera – në mbrojtje të NATO-s.
Nën Bidenin, SHBA i shtuan trupat e stacionuara në Gjermani, nuk i tërhoqën. 38.000 ushtarë amerikanë (2022) u shërbejnë nga Gjermania interesave amerikane në botë. Mbi 1 miliardë e gjysmë dollarë investime ushtarake shtesë bënë SHBA në bazat në Gjermani, në vitet 2022/2023.
Bideni diskutoi në Berlin edhe me liderë të tjera evropianë, për të ardhmen e angazhimit në Ukrainë. Veç sekretarit të shtetit Blinken, në Berlin erdhën për këtë qëllim edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keith Starmer.
Po të shikojmë megjithatë listën e vendeve evropiane që vizitoi Bideni para Gjermanisë, Francën, Britaninë e Madhe, Poloninë, Italinë, Gjermania erdhi në fund. Dhe vizita është e shkurtër. Ndonjë shpjegim?
Këto fakte nuk kanë bërë ndonjë përshtypje në Gjermani.
Në Berlin janë të ndërgjegjshëm për peshën dhe fuqinë e Gjermanisë, në Evropë e në botë. Edhe në SHBA. Ndaj gjermanët nuk përdorin të gjitha mjetet protokollare dhe diplomatike për të arritur spektakle simbolike, me përfaqësues shtetesh të tjera, siç bën ndonjë vend fqinj i Gjermanisë.
Nën Bidenin, marrëdhëniet SHBA-Gjermani u thelluan. Kjo edhe për shkak të orientimit të fortë drejt SHBA, të qeverisë së kancelarit Scholz.
Fjalët e Bidenit në Berlin, se Gjermania i kujtoi të gjithë për rëndësinë e NATO-s, shihen këtu edhe si aludim për deklaratën e Macronit, për vdekjen cerebrale të NATO-s. Kjo megjithëse Bideni ishte në Francë para Gjermanisë, në vizitë disaditore.
Fakti që vizita është e shkurtër ka të bëjë me situatën e uraganit Milton në SHBA. Po të kishte ardhur, sipas planit, javën e kaluar në Berlin Presidenti Biden, vizita do të zgjaste disa ditë. Pra: marrëdhëniet dypalëshe, aktualisht, janë shumë të mira.