Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po i afrohet më shumë arritjes së “objektivave të saj kryesore” në luftën në Ukrainë.
Situata në terren “po ndryshon në mënyrë drastike”, tha ai, duke shtuar se trupat ruse po “rifitojnë” kilometra katrorë të territorit çdo ditë.
Ai megjithatë pranoi se nuk mund të thoshte se kur Rusia do të rimarrë rajonin e Kurskut, i cili ka qenë nën pushtimin e pjesshëm nga forcat ukrainase që nga vera.
Teksa iu përgjigj një pyetjeje se si po shkon lufta, Putini kërkoi shpalosjen një pankartë të madhe pas tij që ai thotë se i ishte dhënë nga një brigadë detare që luftonte në Kursk.
Pankarta përmban shenjat e brigadës së 155-të të këmbësorisë detare dhe është e shoqëruar me sloganin, “ku jemi ne, është fitorja”.
Putin tha se kjo pankartë ishte nënshkruar nga ushtarët e brigadës, të cilët ai i quajti heronj dhe uruan fitoren.
Presidenti rus tha se Rusia kishte nevojë për një “paqe afatgjatë” në Ukrainë dhe jo një armëpushim të përkohshëm, pasi kjo “do t’i lejonte armikut të rifurnizohej”.
Ai tha se forcat ruse po përparonin dhe se “armiku nuk është në gjendje të mbajë pozicionet e tij”.
“Ukrainës po i shterojnë pajisjet e saj ushtarake”, shtoi ai.
I pyetur se çfarë ka ndryshuar tek ai që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Putin tha se ai bënte më pak shaka dhe “pothuajse pushoi së qeshuri”.
Presidenti rus tha gjithashtu se një vendim për nisjen e pushtimit duhej të ishte marrë më herët se shkurti i vitit 2022, duke shtuar se Moska duhet të ishte përgatitur “sistematikisht” për të.