Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje homologut të tij amerikan, Donald Trump, që përpara se të bëjë marrëveshje me Rusinë të vizitojë Ukrainën e të shohë nga afër gjendjen e saj me viktima, ndërtesa të shkatërruara e njerëz që luftojnë.

“Ne e respektojmë pozicionin tuaj, por ju lutem, përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj negociate, ejani të shihni njerëzit, civilët, luftuesit, spitalet, kishat, fëmijët, të shkatërruar apo të vdekur. Ejani, shihni, e më pas të levizim me një plan se si të përfundojmë luftë. Ju do e kuptoni me kë keni të bëni. Ju do kuptoni se çfarë Putin bëri”, tha Zelensky.

Një mesazh i tillë vjen nga Zelensky në një intervistë të tij për mediat ndërkombëtare teksa tha se Rusia pritet të ketë një ndikim të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë besoj për fat të keq se narrativa ruse po mbizotëron në SHBA. Si është e mundur që dëshmojnë humbjet dhe vuatjet tona, e të mendojnë ende se Rusia nuk janë agresorët, që nuk e nisën ata këtë luftë? Kjo flet për ndikimin madhor të politikave të informacionit të Rusisë në SHBA, në politikat dhe politikanet e Shteteve të Bashkuara” theksoi lideri ukrainas.

Një reagim i tillë nga Zelensky vjen pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë ku u regjistruan të paktën 32 viktima, 2 prej të cilëve fëmijë, si dhe 84 të plagosur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb