Përmbysja e regjimit të Presidentit Bashar al-Assadit në Siri është suksesi i fundit i Turqisë në konkurrencën me Iranin për ndikim rajonal. Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones analistët thonë se Teherani ende zotëron aftësi që mund t’i shfrytëzojë në rivalitetin e tij në rritje me Ankaranë.

Rebelët sirianë që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad patën mbështetjen e Turqisë. Irani mbështeti regjimin e Assadit. Fitorja e rebelëve është fitorja e fundit për Ankaranë në rivalitetin e saj me Teheranin për ndikim rajonal, thonë analistët.

“Turqia e ka dobësuar Iranin në Irak, Siri, si dhe në Kaukazin Jugor. Pra, Turqia e ka fituar konkurencën me Iranin në të tre këto konflikte. Është në interesin e Turqisë që Irani të dobësohet më tej”, thotë Ozgur Unluhisarcikli drejtues i Fondit Gjerman Marshall në Ankara.

Analistët shpesh i karakterizojnë marrëdhëniet mes Iranit dhe Turqisë si një ekuilibër midis konkurrencës dhe bashkëpunimit. Ata thonë se megjithatë bashkëpunimi po i lë vendin një rivaliteti gjithnjë e më të ashpër. Ankaraja kërkon të zgjerojë ndikimin në zonat që Irani i vlerëson si në sferën e tij të ndikimit dhe që shpesh mbrohen nga grupet që kanë mbështetjen e Teheranit.

“Që nga fillimi i kryengritjeve arabe, Irani filloi ta trajtonte Turqinë si një armik. Grupet që kanë mbështetjen e Iranit dëmtojnë interesat kombëtare të Turqisë. Irani ishte gjithashtu një nga vendet që ndihmoi dy grupe kryengritësish kurdë në Irak dhe Siri”, thotë profesoresha Bilgehan Alagoz nga Universiteti Marmara.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit me bazë në Turqi, PKK, ka luftuar me dekada për më shumë të drejta të pakicës kurde. Turqia akuzon grupin kurd në Siri, të njohur si YPG, për lidhje me PKK-në.

Analistët sugjerojnë se Teherani mund t’i kndërvihet Ankarasë duke mbështetur grupet militante kurde përmes grupeve që kanë mbështetjen e Iranit në rajon.

Analistët gjithashtu thonë se dobësimi i Iranit është një kauzë e përbashkët e Turqisë dhe Izraelit.

“Izraeli dhe Turqia kanë interes të përbashkët për të ndaluar shtrirjen e ndikimit të Iranit. Ju e keni parë që Izraeli dhe Turqia bashkëpunuan jo drejtpërdrejt. Izraeli e dobësoi grupin Hezbollah në Liban dhe Turqia mbështeti lëvizjen rebele në Siri dhe kështu ra Assadi”, thotë Gallia Lindenstrauss nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Analistët shohin se ka mundësi edhe për bashkëpunim mes Presidentit turk, që kërkon forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili është zotuar të mbajë qëndrim më të ashpër kundër Iranit.

“Nëse zoti Trump synon të zbatojë zgjidhje dhe metodologji të reja me Iranin, atëherë Uashingtoni ka nevojë për ndihmën dhe bashkëpunimin e Turqisë. Nga një këndëvështrim i gjerë, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bëhen bashkë”, thotë Mesut Casin, këshilltar i presidentit turk.

Analistët theksojnë se Irani dhe Turqia kanë arritur që në rivalitetin e tyre ndër shekullor të shmangin konfrontimin e drejtpërdrejtë. Megjithatë, pasi rebelët e mbështetur nga Turqia rrëzuan nga pushteti aleatin e Teheranit në Siri, aftësia për të mbajtur nën kontroll rivalitetin mund të sprovohet./ VOA

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb