TIRANË

Ndërsa aktori i humorit, Gazmend Paja, është investitor strategjik në bregdetin e jugut, babai i tij, aktori i mirënjohur Luftar Paja, vetëm pak vite më parë ankohej për heqjen e licave nga lista e rimbursit.

Përmes një udhëzimi të fondit të sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor u kufizua ndjeshëm përdorimi i disa medikamenteve të rëndësishme që janë në listën e barnave me rimbursim. Asokohe, Luftar Paja u shfaq në një prononcim për mediat.

“Befas kur shkoj të marr trajtimin e muajit, më thonë se nuk do trajtohesh më, sepse ka ndryshuar procedura.’ – tha ai, ndërsa bëhej fjalë për medikamentin Xarelto, i cili përdoret për hollimin e gjakut te pacientët me probleme kardiake.

“Të me heqësh Xarelton mua, është si të më thuash bëhu gati për trompozën, bëhu gati për të shkuar në Sharrë apo Tufinë. Unë si pensionist nuk kam 100 mijë lekë të blej Xarelto. Nga halli do shfrytëzoj fëmijët e mi” – u shpreh ai, ndërsa apeloi shtetin për ndihmë.

Por mesa duket, ndihmën e kërkuar nga i ati, 3 vite më parë, e ka përfituar i biri, pasi kompania e tij ‘Ecotech Energy Services’ së bashku me kompaninë ‘Startek’ do të investojnë në Dhërmi jo pak, por plot 13.8 milionë euro. Paja ka përfituar 133 mijë metra katrorë tokë për të ndërtuar “Dhërmi Restort” një kompleks luksoz që ka fokusin turizmin elitar, tregon vendimi Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.

Në këtë hapësirë do ndërtohen vila dhe një hotel me 5 yje. Hoteli do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Pjesa tjetër prej 108 mijë metrash do përdorët për të ndërtuar vilat të cilat do të shiten nga kompanitë dhe nuk sjellin asnjë zhvillim publik për turizmin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb