Qeveria britanike do të përpiqet sot, pas një dështimi të parë, të sigurojë një votim në Parlament për marrëveshjen e Brexit të arritur me Brukselin dhe për të garantuar që vendi të dalë nga BE në fund të tetorit, pavarësisht vendosmërisë së opozitës për të prishur planet.

Londra mori një marrëveshje divorci me Bashkimin Europian javën e kaluar, por dështoi në marrjen e mbështetjes nga Parlamenti britanik të shtunën.

Kryeministri, Boris Johnson  u detyrua të kërkojë një shtyrje të datës për daljen nga BE, një kërkesë që po shqyrtohet në Bruksel.

Por, drejtuesi konservator, kundërshtar i ashpër për çdo shtyrje të Brexit-it, fillimisht parashikuar më 29 mars dhe tashmë shtyrë dy herë, e shoqëroi këtë kërkesë me një letër shpjeguese sepse ai nuk dëshiron një afat tjetër.

Sot, ai do të provojë edhe njëherë të marrë miratimin nga Parlamenti të një mocioni për marrëveshjen e tij të Brexit, nëse presidenti i Dhomës së Komuneve, John Bercow, e lejon.

Ky i fundit, i akuzuar nga disa konservatorë si anti-Brexit, mund të refuzojë në fakt zhvillimin e këtij votimi, me motivin se qeveria është përpjekur tashmë të bashkojë parlamentarët për këtë tekst dhe dështoi.

Më shumë se tre vite pas referendumit të vitit 2016  kur 52% e britanikëve mbështetën kampin e “Leave”, opinioni dhe parlamentarët mbeten shumë të ndarë, madje edhe brenda partisë konservatore të Boris Johnson.

Qeveria thekson se ka një maxhorancë për të mbështetur marrëveshjen e saj, që zgjidh kushtet për divorc pas 46 viteve jetë të përbashkët duke mundësuar një dalje të zbutur të shoqëruar nga një periudhë tranzicioni që do të zgjasë të paktën deri në fund të vitit 2020.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb