Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Marlind Laçi, i ftuar në rubrikën Çështja e ditës nga moderatori Klevin Muka në News ka komentuar situatën e rëndë konfliktuale në Lindjen e Mesme.
Laçi theksoi se në këtë fazë ku ndodhet konflikti, zgjidhja me dy shtete është një opsion thuajse i pamundur. Ai tha se me shumë gjasa, në fund do të mbijetojë ai popull që do të jetë më i fuqishëm nga aspekti ushtarak.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Marlind Laçi: Konflikti e thelloi krizën. Zgjidhja me dy shtete tashmë është e pamundur. Mundësi e vetme është që të ekzistojë vetëm një popull dhe do ekzistojë ai popull që do jetë më i fuqishëm. Izraeli është i fortë ushtarakisht, ka mbështetje nga Perëndimi, që e investon me ekonomi dhe municion. Përballë është një popull që është i vendosur të martirizohet. Janë plagosur rreth 100 mijë civilë, që po rezistojnë.
Izraeli niset nga një koncept biblik dhe jo konstitucionalist, duke përmendur toka, që do rrezikonin deri shtete si Libani, Turqia, Arabia, Siria, Jordania. Kur bëhet fjalë për Izraelin, asgjë nuk është e ndaluar. Izraeli madje mund të rrezikojë edhe Turqinë. Irani është një vend pak më i sigurt, sepse Irani ndodhet përtej Gjirit Persik, është Iraku që i ndan. Izraeli ka dështuar në Gaza, sepse Izraeli nuk ia doli të mundë një ushtri artizanale. Hamasi nuk është zhdukur. Nuk besoj se zgjidhja do vijë nga diplomacia, por nga forca.
(Balkanweb)