Vijojnë debatet dhe përplasjet në Komisionin Hetimor për Sterilizimin, atje ku Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, është paraqitur për herë të dytë në 48 orët e fundit si dëshmitar, por ende nuk ka dhënë dëshminë e tij.
“Fike mikrofonin se po flas, fike mikrofonin”, i drejtohet deputeti socialist Ilir Metaj, kryetares së Komisionit, demokrates Albana Vokshi, e cila ndërkohë vijon replikat me të tjerë ligjvënës.
Pamjet e siguruara nga gazetari i News24, Ergys Gjençaj, tregojnë atë që ndodh në sallën e Komisionit, ku secila palë duket se ka qenë e përgatitur, teksa ka nxjerrë mbi tavolina pankartat.
Por përtej debateve dhe tensioneve të herëpashershme mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, ajo që tërheq vëmendjen është një “luftë” pankartash që deputetët e secilit krah mbanin në duar.
Demokratët kishin zgjedhur të mbanin fotot e Edi Ramës dhe Vilma Nushit, apo Edi Ramës me biznesmenin e arrestuar Rrapaj.
Ndërkohë në anën tjetër, socialistët kanë pankartat e tyre. “Neni 22 i Kushtetutës, Liria e shprehjes është e garantuar” është një mesazh që shkruhet në një pankartë që mbahet nga Plarent Ndreca, dhe duket se ka lidhje me qëndrimin që demokratët mbajnë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë. “Mos kini frikë nga fjala e lirë”, është një tjetër mesazh i socialistëve, i cili pasohet nga një tjetër mesazh ““Mos kini frikë nga e vërteta”.
Dhe ndërsa deputetët e pozitës dhe opozitës janë përfshirë në debate të tilla dhe në një “luftë” pankartash, Ilir Beqaj vijon të jetë në mjediset e Kuvendit, ku pret të japë dëshminë e tij, duke përdorur në vend të poëerpoint, disa fotografi të printuara në formatin A3, ku tregohen pamje nga spitalet shqiptare para vitit 2013.