Vdekja e Emiliano Sala, përveç trishtimit që solli për largimin e një djali në moshën 29-vjeçare, ka sjellë dhe probleme mes dy klubeve, Nantës dhe Kardifit.

Francezët e Nantës e kishin shitur kartonin e sulmuesit argjentinas tek uellsianët e Kardifit për shumën e 17 milionë eurove, shumë që do të paguhej nga skuadra e Premier Ligës në 3 këste gjatë 3 viteve të ardhshme.

Kësti i parë duhej paguar përpara disa ditësh, por Nanta i la kohë Kardifit dhe një javë tjetër, javë e cila ka skaduar ndërsa në llogarinë e klubit bregdetar nuk është derdhur asnjë qindarkë.

Nanta ka kërcënuar se do t’i drejtohet FIFA-s për respektimin e marrëveshjes. Sala humbi jetën më 21 janar, ndërsa po shkonte në kryeqytetin e Uellsit pikërisht për t’u bashkuar me klubin e ri. Avioni me të cilin udhëtonte ra në kanalin e La Manshit, ndërsa trupi i tij u gjend vetëm një javë më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: