TIRANË- Dy autobusë të linjave të ndryshme të kryeqytetit janë përplasur mëngjesin e sotëm, ndërsa janë përpjekur të parakalojnë njëri-tjetrin për të marrë pasagjerët. Aksidenti ka ndodhur tek shkolla teknologjike, pranë pallatit me shigjeta në kryeqytet. Gazetari Spartak Koka sqaron se bëhet fjalë për një përplasje mes urbanit të linjës së Kasharit dhe atij të linjës Kinostudio-Kombinat.
Dy urbanët kanë qenë duke lëvizur me të njëjtin drejtim, për në Kombinat dhe dyshohet se drejtuesi i urbanit të Kasharit është përpjekur të parakalojë atë të Kombinatit, për të marrë pasagjerët por drejtuesi i tjetër ka shtuar shpejtësinë, çka ka sjellë edhe përplasjen mes tyre.
Paraprakisht mësohet se nga frenimi dhe përplasja 8 udhëtarë kanë marrë lëndime të lehta dhe gërvishtje, ndërsa dy urbanët kanë dëmtime të konsiderueshme. Policia po kryen të gjitha procedurat hetimore në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar të dy drejtuesit e autobusëve për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: