Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se korrupsioni endemik ka qenë tumori më gërryes për vendin, ndërsa theksoi se përfundimi i projektit të futjes së kadastrës në sistemin e teknologjisë mbetet guri i fundit në mozaikun e shërbimeve dixhitale.

“Nuk është luftë e një segmenti apo një tjetri, por është luftë e gjithë sistemit shtetëror. Shqipëria ka pasur problemin e vetë më të madh dhe tumorin e vetë më gërryes, korrupsionin endemik në çdo hap, për çdo gjë, për çdo dokument. Sot panorama është krejt tjetër dhe ka mbetur vetëm një gur i fundit i këtij mozaiku për ta mbyllur plotësisht epokën otomane të kulturës transaksionale të qyetatarit me shtetin.
Ky është përfundimi i projektit të futjes së kadastrës në këtë sistem të teknologjisë. Them përfundimi sepse një pjesë e rëndësishme e Kadastrës është në sistemin e teknologjisë përderisa sot aplikimet mund t’i bësh online, por ka një pjesë tjetër që duhet futur në sistem”, tha Rama.
Për këtë, kryeministri theksoi se janë angazhuar fonde dhe ekipe të veçanta sepse është një punë tejet komplekse që kërkon shumë njerëz në territor që të vihen në dispozicion.
“Nga ana tjetër dua t’ju tërheq vëmendjen që në aspektin e shërbimeve publike vlerësimi është gjerësisht ndërkombëtar, nuk është thjesht një vlerësim i imi apo i yni, por është vlerësim ndërkombëtar në të gjitha klasifikimet për rritjen e kapaciteteve të shërbimeve. Në këtë drejtim do ta gjeni Shqipërinë në pjesën e sipërme të tabelave të klasifikimit”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb