Nga: JETON SELIMI *

Tirana dëshiron të njoftojë sërish të gjithë tifozët bardheblu si dhe mediat sportive se ndeshja Tirana-Flamurtari do të luhet nesër në stadiumin “Elbasan Arena” ashtu siç kemi lajmëruar më parë”. 24 herë kampionët e vendit kanë dashur që në këtë mënyrë të njoftojnë zyrtarisht tifozët se ndeshja kundër Flamurtarit do të zhvillohet sipas programit të përcaktuar dhe se nuk do të ketë shtyrje të saj apo zhvendosje të vendzhvillimit të saj. Fillimisht ishte Policia e Qarkut të Elbasanit, që nëpërmjet një komunikate zyrtare, deklaroi se nuk garanton rendin në “Elbasan Arena”. Shkak për këtë qëndrim të policisë është bërë ngjarja e dy muajve më parë, kur gjatë takimit Elbasani-Tirana, tifozëritë u konfliktuan dhe shkaktuan shumë dëme në impiantin më modern në vend, ndërsa dëmi më i madh ishte në sektorin mik, ku qëndronin tifozët e Tiranës. Pas ndeshjes, pasuan akuza dhe kundërakuza mes policisë dhe bardhebluve, teksa kuptohet se këto përplasje kanë shtyrë policinë që të mos garantojë ndeshjen Tirana-Flamurtari në “Elbasan Arena”. Klubi bardheblu është përpjekur që të gjejë stadiume alternative, por edhe në Peqin ka hasur të njëjtin problem, pasi edhe atë stadium e garanton Policia e Qarkut të Elbasanit. Megjithatë, pas diskutimeve të gjata, Tirana ka këmbëngulur që ndeshjen ta luajë në Elbasan, ndërsa ende nuk dihet forma e sigurisë në stadium. Tirana gjendet në vendin e tretë në kuotën e 38 pikëve, tre pikë larg vendit të parë që mbahet nga rivalët e Kukësit.
Magani
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani është i bindur se mungesat objektive nuk do të ndikojnë në lojën që do të zhvillojë Tirana në sfidën që do të luhet kundër Flamurtarit të premten në 18:00 në Elbasan. Bulku dhe Karabeci nuk janë të disponueshëm ndërkohë që Ristevski nuk është ende në gjendjen e tij më të mirë. Tirana i ka marrë deri tani 4 pikë Flamurtarit duke fituar 1-0 në Tiranë në fazën e parë e duke barazuar 0-0 në fazën e dytë në Vlorë. “Për shkak kartonësh do të mungojë kapiteni Bulku. Ristevski nuk është në kondicionin e duhur, ndaj nuk do të jetë. Rikthehet Bakaj dhe ky do të jetë një lajm i mirë. Edhe Karabeci po i afrohet kondicionit që nevojitet”.
Lajmet negative që kanë përfshirë futbollin shqiptar për Maganin nuk janë një kompetencë që duhet diskutuar nga niveli teknik. Ai gjithsesi garanton se Tirana nuk do të kontribuojë negativisht në këtë drejtim, por njëherazi askush nuk mund të garantojë sjelljen e rivalëve. Po nëse dikush i hap portën Tiranës në 5 minutat e fundit çfarë do të ndodhë? “Kemi biseduar me lojtarët dhe klubin. Nuk mund të marr përsipër të komentoj problematikat që kanë patur ndeshjet në takimet e tjera. Nuk më pëlqen asnjë tolerim sepse asnjë trajneri nuk i pëlqen të marrë 3 pikë të dhuruara, madje asnjë trofe në mënyrë të tillë nuk të shijon”, përfundoi Magani.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb