Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja, më lart është vallë të durosh?/ Hobe shigjetash fati të tërbuar/ A të përballosh një det të turbullt helmesh/ Me arm’ e fund t’u japësh./ Të vdesësh – të flesh/ Jo më! – dhe me një gjumë të mbarosh/ Çdo zemërderdhje, mijëra tronditje/ Që trupi prej natyrës trashëgon/ Ja një qëllim që duhet dëshiruar/ Me gjithë shpirt – Të vdesësh – të flesh, të flesh?/ E ndoshta të ëndërrosh! Ah! Këtu ngec/. (Hamleti, Shekspir).
Mbrëmjen e 10 tetorit, këto fjali të Hamletit do të recitohen në Teatrin Kombëtar Eksperimental nga një grua: Luiza Xhuvani. Mbi supe ajo do të mbajë një prej personazheve më të njohura të teatrit, herë prej mesazhit e herë prej tragjedisë. Aktorja e njohur i rikthehet teatrit pas një mungese të gjatë e të vështirë, por i kthehet me një rol të madh, e për shkak se do veshë petkat e një burri shekspirian, vështirësia e pesha bëhen ende më të mëdha.
“Historia e Hamletit, interpretuar nga një femër, nuk ndodh për herë të parë në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Mjaft regjisorë e kanë bërë këtë eksperiment, por në Shqipëri ndodh për herë të parë. Regjisori e zhvendos figurën e Hamletit nga mashkull në femër, për të rritur dimensionin përfshirës të veprës dhe të personazhit”, thotë drejtori i TKEKS, Kiço Londo.
Ai shpjegon disa detaje të shfaqjes, duke dashur të theksojë se në këtë mes, padyshim që nuk ka asnjë lloj ekzibicioni. “Synojmë një frymë të re në teatër: ndaj kemi ftuar regjisorë të huaj, për këtë arsye kemi zgjedhur Hamletin, ndër më të mirat vepra të Shekspirit, për këtë arsye e fillojmë me të, për këtë arsye kemi ftuar të punojë me ne dhe i jemi mirënjohës Luiza Xhuvanit që ka pranuar ftesën që të jetë pjesë e Eksperimentalit, çka tregon se ajo është padyshim, jo vetëm në vazhdën e modernes, por besoj se është një aktore që tashmë, në këtë moment në të cilin ndodhet, mund të bëjë gjithçka dhe me shumë sukses”.
Ndërsa provat me regjisorin Enke Fezollari kanë filluar në 17 gusht, Londo kujton se Ofelia do të luhet nga Ermira Hysaj, që është femër dhe shfaqja do të luhet në një ritëm jashtëzakonisht të madh, i cili është në themel të punës së shfaqjeve të Teatrit Eksperimental. “Ritmet tona janë ritme të shfaqjeve të shpejta, ku plastika është shumë e rëndësishme e ku ka një harmoni mes plastikës dhe mendimit”.
Mbi eksperimentin
dhe kufirin
Për të si drejtor, me këtë shfaqje e më të tjera, TKEKS i largohet teatrit tradicional dhe ofron një lloj teatri që është më në kohë, më me ritëm, më me ngjyra, më argëtues, por njëherësh më edukues me publikun. “Gjatë sezonit do të ketë edhe dy regjisorë të tjerë të huaj, që do të përbëjnë kolonat e eksperimentit të Teatrit Kombëtar EKS. Ne kemi ftuar edhe një regjisore bullgare, që nuk e ka famën vetëm në Bullgari, por edhe në Europë. Ajo ka qenë sivjet në Festivalin e Butrintit, kur erdhi me “Dekameronin” e Bokaços. Quhet Diana Dobreva e duam që me ne të punojë “Antigonën” e Sofokliut. Kemi edhe një regjisor tjetër që do të vërë në skenë komedinë “Gënjeshtrër për gënjeshtër” dhe më pas do vazhdojmë me eksperimentet e tjera me mjuzikëll, me shfaqje për adoleshentë, me shfaqje për fëmijë”-tregon ai. Për të, të gjitha do jenë me karakter eksperinmental duke tentuar që TKEKS të bëhet, një pikë referimi për gjithë teatrin e hapësirës shqiptare, “jo në kuptimin e të dhënit leksione sepse nuk dëshirojmë ta bëjmë këtë”-nënvizon Londo, por shton ai, – “në kuptimin e liderit, por si një Teatër Kombëtar Eksperimental do të shërbejë në mënyrë të veçantë, si një kufi ndarje mes teatrit të traditës dhe teatrit modern që duhet të përqafojmë për të qenë në një hap me teatrot europianë”. Në këtë pikë, ai mendon se ka ikur koha e ballafaqimit me veten, ndaj tani fillon ballafaqimi me botën dhe me botën me dinjitet.
Mbi Hamletin e ri
Një Hamlet femër, apo një femër për të rijetësuar Hamletin?
Në shënimin e tij si regjisor, Fezollari veçon se “Një tjetër Hamlet, një tjetër ‘i huaj’ pa gjini. As burrë, as grua. Figurë, personalitet, njeri”.
“Hamleti. Danimarkë. 1600
Hamleti. Tiranë. 2015
Ideja. Frymë hyjnore.
Sepse personazhet shkojnë përtej rregullave, janë arketipa. Jashtë rregullave”.
Sipas Fezollarit, Hamleti si një humanist i thellë dhe racionalist, vepron si princ i viteve 1600. Është një intelektual, një revolucionar në Danimarkën e kalbur dhe sidomos në një Europë e cila po shembet, një Europë e cila nuk mund të zgjidhë problemet e saj, njerëzit janë duke u mbytur në Mesdhe, luftërat ekonomike… Kështu dhe Hamleti jeton në Danimarkë, e cila është e etur për luftë dhe pushteti është duke kryer krime. “Një Hamlet, i cili nuk do të ndryshojë për botën, por bota të ndryshojë për të. Një shoqëri ku vlerat e dashurisë janë si hipodromi, apo si bursa. Me politikanë oportunistë, ku jetët njerëzore nuk janë veçse një parametër i luftës së tyre për pushtet. Ky është ferri që jeton Hamleti. Hamleti, njeriu i parë bashkëkohor, me ide dhe vlera. Kundër pushtetit të Klaudit dhe Polonit… ecën në shoqërinë e kalbur të “Danimarkës”.
Hamleti flet për historinë e një princi, i cili bëhet njeri dhe vdes si hero…
Historia tragjike e Princit Hamlet, është ngjitja e tij në majat më të larta hermetike dhe të pakalueshme për të nxjerrë një dritë verbuese të përjetshme dhe ne jemi të dënuar brenda hijes së tij, të përshkruajmë formën e tij”, veçon ai në sqarimin si regjisor i këtij Hamleti të ri.
Enke Fezollari punon në Teatrin Grek në Athinë që nga viti 2005 si aktor dhe si regjisor.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: