LUKSEMBURG- Sipas të dhënave të publikuara sot, mbi 213 000 persona kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Evropian për periudhën prill- qershor, 85 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Më shumë se një në tre veta ka kërkuar azil në Gjermani, që është kthyer në destinacionin kryesor të emigrantëve që i drejtohen Evropës.

Vendi ka regjistruar 80 900 aplikime të reja për periudhën tremujore, 38 për qind më shumë se BE-ja në total, sipas statistikave të agjencisë.

Hungaria renditet e dyta me 32 700 aplikime, e konvertuar kjo në 15 për qind nga total ii aplikimeve në BE.

Më pas vjen Austria me 17 400 ose tetë për qind. Italia, Franca dhe Suedia, të treja së bashku kanë regjistruar mbi 14000 persona ose rreth shtatë për qind të të gjithë aplikimeve.

Hungaria ka regjistruar numrin më të madh të personave për banorë, në shifra 3 317 për një milion banorë, duke u renditur përpara Austrisë, Suedisë dhe Gjermanisë.

Krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, rritjet më të mëdha në numrin e përgjithshëm të aplikimeve janë shënuar në Hollandë dhe Letoni. Shifrat u dyfishuan e shënuan një rritje prej 159 dhe 123 për qind respektivisht.

Ndër 213 200 azilkërkuesve për herë të parë në tremujorin e dytë, 43 995 kanë ardhur nga Siria, e që përfaqëson një ndër pesë aplikantë. Shumica e sirianëve kërkuan azil në Gjermani, Hungari, Austri dhe Suedi.

Të dytët vijnë azilkërkuesit nga Afganistani, i rrënuar nga lufta, me 26 995 ose 13 për qind të aplikimeve. Shumica e tyre aplikuan për azil në Hungari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb