Nga: KLODIANA LALA*


TIRANE – Pas dhjetë vitesh ngujimi në qeli, me përballje të forta me drejtësinë, dita e fundit e 2014-ës duket se ka qenë ndër më të veçantat për Lulzim Berishën. Tetë orët e 31 dhjetorit ai i ka kaluar në liri, në vilën e tij në hyrje të Durrësit, në gjirin e familjes. Krejt qetësisht, pa bujë, sikurse shkakton shpesh emri i tij, pa sirena policie dhe nën masa sigurie, Lulzim Berisha, i dënuar me 25 vite burg, ka kapërcyer pragun e burgut të sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Ai ka përfituar një leje shpërblyese, konform ligjit, për të mbërritur në shtëpinë e tij, për shkak të një problemi shëndetësor të së ëmës. “I dënuari Lulzim Berisha, sipas kërkesës së tij, ka përfituar një leje të veçantë, që parashikohet nga ligji. Pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur nga ana e këtij të dënuari, është vendosur të miratohet leja dhe të shoqërohet për në ambientet e shtëpisë së tij nga forcat e policisë”, tha një zyrtar i burgjeve. Ashtu sikurse ishte urdhëruar, i cilësuari si kreu i “Bandës së Durrësit”, është shoqëruar sërish për në qelitë e burgut në orën 17:00, ku ka festuar natën e ndërrimit të viteve me të dënuar të tjerë, pas “frymëmarrjes” që i dhanë tetë orët në liri në “vatrën” e shtëpisë së tij, pranë njerëzve të dashur.
VENDIMI I GJYKATËS
Nuk ka kaluar shumë kohë nga dita kur Lulzim Berisha, do të merrte një lajm që mund të konsiderohet i “hatashëm” për të. Gjykata e Lartë, pasi mori në shqyrtim dosjen penale për 16 të pandehurit e së ashtuquajturës “Banda e Durrësit”, vendosi të rrëzojë dënimin me burgim të përjetshëm për Lulzim Berishën dhe kunatin e tij, Plarent Dervishi. Sipas gjykatës supreme, dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit, kishin gabuar kur dënuan përjetësisht Lulzim Berishën, pasi të gjitha krimet për të cilat akuzohej nga prokuroria ishin kryer prej tij përpara vitit 1998, kur për secilën vepër penale, parashikohej një vendim jo më shumë se 25 vite. Kështu, Kolegji Penal vendosi të prishë vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Apelit për Krime të Rënda e ta dënojë përfundimisht të fortin e Durrësit me një dënim përfundimtar me 25 vite burg. Ky vendim, i hapi dritën jeshile Berishës për një lirim të mundshëm, pikërisht atëherë kur shpresat për lirinë sa vinin e shuheshin. Prej kësaj dite, Lulzim Berisha futet në kategorinë e atyre të dënuarve që mund të përfitojnë edhe leje shpërblyese, pasi nga dënimi i firmosur nga drejtësia, ai ka kryer pjesën më të madhe të tij. Gjithashtu, sjellja e Berishës, sipas zyrtarëve të burgjeve, është shumë e mirë dhe asnjëherë brenda qelive ai nuk ka krijuar incidente dhe nuk ka shkelur rregulloren.


(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)


Etiketa: