Kreu i opozitës Lulzim Basha, deklaroi në aktivin e strukturave të PD në Mallakastër, se kapja me dhunë, thyerja e dyerve, uzurpimi i selive të pushtetit vendor nga bandat e Edi Ramës është e paligjshme dhe kriminale.


“Një nga gjërat e para që do të bëjë qeveria e re, e dalë me votë të lirë është që gjithsecili që ka shkelur ligjin dhe është kthyer në vegël të verbër të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi ligjore. Asnjëri prej tyre nuk do të harrohet, që nga ky i Mallakastrës, deri tek Edi Rama” – tha zoti Basha.


Kushdo që ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin pas dekretit të 10 qershorit do të ndëshkohet- theksoi kreu i opozitës. “Mos harroni, duke nisur nga data 11 qershor çdo qindarkë e taksave të shqiptarëve që është harxhuar për procesin kriminal dhe fals të 30 qershorit, është dëm ekonomik. Për çdokënd që ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ligji është i qartë. Ju siguroj që me qeverisjen e re dhe prokurorinë e çlirurar nga kapja, gjithsecili prej tyre do të marre atë që meriton para ligjit”. – u shpreh kreu i opozitës.


Kryetari i opozitës vlerësoi kryebashkiakun Agron Kapllanaj për punën e mandatit 4 vjeçar, gjatë te cilit vuri të parin interesin e qytetarëve. “Agron Kapllanaj do të jetë kandidat për Kryetar Bashkie në zgjedhjet kushtetuese për pushtetin vendor dhe pa asnjë dyshim, edhe Kryetar i ardhshëm i Bashkisë Mallakastër. Pseudokandidatura e Rilindjes që u refuzua bindshëm edhe nga vetë socialistët nuk mund të jetë kurrë kryetar i bashkisë Mallakastër. Koha për të vendosur me votë kryetarin e vërtetë të bashkisë, sipas Kushtetutës shqiptare, sipas Kodit Zgjedhor nuk do të vonojë. Beteja jonë ka nisur me një qëllim, t’u rikthejë shqiptarëve të drejtën e dhunuar të votës së lirë. Kjo betejë ka për të përfunduar me një rezultat, largimin e Edi Ramës, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në të njëjtën ditë.”- tha zoti Basha. Pa votë të lirë nuk ka demokraci, pa demokraci nuk ka zhvillim, nuk ka drejtësi, nuk ka punësim.”- theksoi kreu i opozitës në Mallakastër:

Kryebashkiaku Kapllanaj shprehu besimin se PD, e cila është identifikuar gjithmonë si partia që ka sjellë ndryshimin, do të vazhdojë të sjellë ndryshimin për shqiptarët me kryeministrin e ardhshëm Lulzim Basha. Aktivi i PD për Mallakastrën u zhvillua në sallën e re të Kinemasë së qytetit, një premtim i mbajtur nga kryebashkiaku Kapllanaj, tek e cila nuk ishte investuar që prej ndërtimit në 1974.

“Ne kemi dalë përtej bindjeve politike dhe jemi bashkuar. Kam punuar me përkushtimin më të madh për të bashkuar mallakstriotët”- theksoi kryebashkiaku Kapllanaj.

“Vjedhja është prioriteti i vetëm i Edi Ramës, ka harxhuar 3.2 mln euro pa tender për vetëm për zyrën e tij. Çfarë mendon? Se do ta mbrojë përgjithmonë Ulsi Manja me Arta Markun dhe me Donika Prelën? Jo, jo, do të vijë dita shumë shpejt dhe atë ditë secili prej tyre do të japë llogari para shqiptarëve” – u shpreh zoti Basha.

Kryetari i opozitës e konsideroi hap fatal precedentin e kapjes së pushtetit me dhunë nga banda në pushtet dhe theksoi se “Popullit sovran i lind e drejta t’i përgjigjet këtij pushteti me të njëjtat mënyra dhe të mbrojë me të njëjtat mënyra kushtetutën dhe ligjin, në Mallakastër, në Fier, në Durrës, në Elbasan, në të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjitha në Tiranë, atje ku paligjshmëria ka hedhur rrënjët, atje ku hajdutëria dhe kriminaliteti janë ngritur në fron.

Atje, popullit sovran, nëse nuk i hapet rrugë zgjidhjes politike, zgjidhjes që çdo vend tjetër i rajonit e ka patur në kushte akoma më të lehta sesa kriza e sotme shqiptare, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, atëherë popullit sovran i lind e drejta ta marrë në dorën e vet zgjidhjen, me të gjitha format, mjetet dhe mënyrat që i gjykon të përshtatshme për të rivendosur demokracinë dhe drejtësinë.”- u shpreh zoti Basha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)