MALËSI E MADHE

Kryedemokrati Lulzim Basha nga Malësia e Madhe tha se shqiptarët, Europa dhe bota e di që pushteti i Edi Ramës ka mbaruar. Teksa mbajti fjalën para qytetarëve të Malësisë së Madhe, Basha nënvizoi faktin se kryeministri Rama ka instaluar një diktaturë të hajdutëve duke ‘mbytur’ të drejtën dhe punën e qytetarëve, të cilët gjithçka duan ta bazojnë tek merita dhe puna e ndershme.

Lideri i selisë blu theksoi se misioni i Partisë Demokratike është krijimi i një shoqërie demokratike dhe me vlera europiane, ku e drejta dhe merita do të jenë gjykuesit kryesorë të suksesit për çdo qytetar të Shqipërisë.

“Punët po shkojnë keq e më keq. Drama më e madhe është rritje e frikshme e numrit të të larguarve. Malësia i ka pasuritë e saj. Ka njerëz të punës, sepse kanë ditur të kthehen në pionerë të kultivimit të shitjes së bimëve medicina le.

Para dy muajsh isha në Hot tek dajët e mi dhe ajo që pashë me trishtim të madh ishte mbyllja masive e shkollave. Asnjë vend nuk bëhet si vendi yt. Po pse nuk mundemi të ndërtojmë këtu në vendin tonë një të ardhme të sigurtë dhe të krijojmë mundësi më të mira. Shqipërinë dhe pasuritë e saj përrallore, shteti dhe çdo institucion i kanë futur në kllapa 5 njerëz.

Edi Rama ka instaluar një diktaturë të re, jo staliniste e marksiste por diktaturën e hajdutëve dhe të kriminelëve. Aty ku janë këto, nuk nderohet puna e të ndershmit. Këto janë arsyet se pse të rinjtë largohen. Regjimi i Edi Ramës është një regjim i mbaruar politikisht, prandaj vërtitet si kufomë politike dhe nuk di se çfarë flet. Ai është një njeri i mbaruar politikisht në sytë e shqiptarëve dhe të botës.

Beteja jonë është për ta shembur këtë sistem. Historia e Europës dhe e gjithë botës na tregon se cili është fundi i kësaj beteje. Ejani miq, ta përqafojmë këtë ndryshim dhe të çlirojmë vendin nga kjo bandë dhe të hedhim themelin e një shoqërie europiane. Të gjithë të çajnë përpara sipas mundësive dhe potencialeve që ato kanë. Tani të gjejmë më të mirën brenda nesh dhe të krijojmë parlamentin e popullit”, tha Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb