TIRANE

Kryetari i PD Lulzim Basha në fjalën e tij në protestën e 10 të opozitës së bashkuar tha se regjimi i Ramës është antikombëtar.

Basha theksoi se Rama largoi shqiptarët nga vendi, rininë, duke bërë që në popull të humbasin shpresat për një të ardhme më të mirë.

“Regjimi Rama është antipopullor dhe antikombëtar. Ky regjim duhet të rrëzohet sa më parë, aq më mirë për Shqipërinë. Qëndresa jonë triumfoi. Këto përpjekje sjellin ndryshime të mëdha. Sot shqiptarët janë të etur për liri. Shqiptarët duan ndryshim.

Kriza do zgjidhet me parime dhe jo me pazare. Politikanët e lidhur me krimin të dalin përpara drejtësisë. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për t’i nxjerrë ata para drejtësisë së pavarur, njeriu që solli kriminelët në politikë duhet larguar. Pa ikur Rama nga pushteti, nuk do ketë demokraci dhe as integrim në BE.”, tha Basha.

Kreu demokrat Lulzim Basha nënvizoi se shqiptarët po ikin masivisht, madje pjesa më e mirë e kombit, si rrjedhojë e regjimit të Ramës.

“Braktiseni Edi Ramën, sepse ai është bërë njësh me krimin dhe banditët e rrugës. Sot jemi më shumë se kurrë bashkë. Shqiptaërt po ikin nga vendi i tyre nga varfëria dhe pamundësia. Po ikën rinia, elita, përparimi i vendit. Mijëra shqiptarë të zotë dhe të ditur e kanë lënë Shqipërinë këto vite, inxhinierë, sipërmarrës, kuzhinierë etj.

Kanë ikur sepse ata duan të jetojnë në një shoqëri të drejtë dhe të lirë. Shqipëria është varfëruar. Një vend që e braktisën më të mirët, një vend që e braktis rinia, ai vend nuk ka të ardhme. Sot Shqipëria ofron pak liri dhe dinjitet. Sipërmarrësi duhet të paguajë haraçin e korrupsionit dhe gjobën e kriminelit. Policët duhet të dhunojnë kundërshtarit politik. E vetmja e ardhme për fëmijët është të punojnë për oligarkinë ose krimin. Ëndrra për Shqipërinë si Europa nuk është realizuar. Vetëm shoqërinë dhe kombet bëjnë përpara e jo aty ku sundon njeriu. E vetmja mundësi është mbretëria e ligjeve. Shqipëria sot është një vend pa ligj e drejtësi”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha kishte edhe një mesazh të fortë, duke thënë se qeveria popullore e së nesërmes “do iu shtypë kokën kriminelëve”.

“Iu themi sot përgatituti për ditën e gjykimit. Kriminelëve iu themi “do iu shtypim kokat”.  Ne do iu japim fund të fortëve të politikës, fund të fortëve të biznesit. Hapja dhe liria janë parimet e vërteta demokratike.

Vetëm një qeveri e popullit mund të na mbrojë. Kjo qeveri e popullit duhet që të mos ketë lidhje me krime, që mediat mos jenë mjet i manipulimit, të rregullohet gjithë sistemi. Kjo është sfida e parë për shqiptarët. Lufta kundër klientelizmit, lufta kundër varfërisë do të jetë sfida jonë më e vështirë. Do krijojmë një mjedis ku të zërë vend sipërmarrja e lirë”, tha kreu demokrat Lulzim Basha.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb