Kryetari i PD, Sali Berisha nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të Lulzim Bashës, ish-drejtuesin e demokratëve.

Gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, Berisha teksa i kujtoi nofkën që i ka ngjitur prej disa muajsh, duke e quajtur ‘peng’ të Ramës, pohoi se Basha kishte pasur gisht në skenarin për shpalljen e tij non-grata nga SHBA-të.

Kjo sipas Berishës, bëhej që Basha të shpëtonte lëkurën e tij.

Berisha po ashtu tha se nuk donte të bënte profetin, por i kishte thënë Bashës se kudo që të shkonte do të ndiqej nga dosjet e tij.

Deklaruat se zoti Basha ishte marrë peng, a ishte marrë nga PS apo organizata të tjera ndërkombëtare?

Berisha: Ai ishte peng i Edi Ramës, së dyti i kam deklaruar më herët se si ai firmosi për të larguar Berishën nga PD dhe morri pjesë në skenarin e të shpalljes sime non-grata për qëllimet e tij. Paska qenë keqësisht i kapur dhe mendoi se në atë mënyre do shpëtonte lëkurën e tij. Por unë i thashë; ‘e vërteta vonon por nuk harron.’

I kisha deklaruar atij: ‘Lulzim, kudo që të shkosh, para teje shkojnë dosjet e tua’. Nuk dua të bëj profetin, por këto ja kam thënë. Këto janë akte që nuk janë kompetencë e Bashës apo e Ramës, por të sigurisë madhore kombëtare, tjetër punë se i ka në dorë Rama dhe bën si do. Bëhet agresion i madh ndaj vendit, dhe nuk mblidhet as këshilli i mbrojtjes kombëtare, as komiteti. Ai çfarëdo gënjen e mashtron, sillet sikur është nën çifligun e tij në Surrel.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb