TIRANË- Lufta e lumenjve ka zëvendësuar luftën e kufijve në Ballkanin perëndimor. Greqia synon të mos lejojë e lejojë një pjesë të Vjosës të kalojë kufirin, Maqedonia prej kohësh po tenton t’i heqë Shqipërisë Radikën, ndërsa Mali i Zi po kërcënon me Bunën. Përfaqësuesit shtetërorë janë përballur sonte me përfaqësues shoqërinë civile në emisionin “Njerëz në fokus” të gazetares Ola Bruko në News24.
Të ftuar në emision janë ambientalisti Sazan Guri, përfaqësuesi i shoqërisë civile Lavdosh Ferhuni, Vera Bekteshi, ambientaliste, Shoqata ECO Albania, Ilir Memko, Drejtor i politikave të burimeve ujore në Ministrinë e Bujqësisë dhe Sokol Gjoka, Drejtor i Përgjithshëm për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi në MPJ.

Ndërsa ambientalistët kanë sjellë për publikun pasojat që sjell devijimi i lumit Radika nga ana e Maqedonisë dhe lumit Vjosa nga ana e Greqisë, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sokol Gjoka por edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë Ilir Memko mohuan që të ketë filluar puna për devijimin e Vjosës.

Ambientalisti Sazan Guri tha se devijimi i lumit Radika është një humbje e madhe. Guri ka pohuar se ka një bashkëpunim dhe komunikim shumë të mirë me institucionet shtetërore për këtë çështje.

Ambientalisti Lavdosh Feruni tha se “Jemi në kohën e duhur për të reaguar si shoqëri civile, si shqiptarë”. “Kjo është çështje kombëtare. Lumi i Vjosës nuk është vetëm lumë, është një luginë me një popullsi të madhe. Shoqëria civile duhet të jetë pjesë e kësaj vendimmarrje”, tha Feruni.

Profesoreshë Vera Bekteshi, ambientaliste, përfaqësuese e ECO Albania tha se “devijimi i lumit Vjosa do të ketë shumë pasoja e impakte negative”. “Përzierja e dy ekoosistemeve, e lumit të Vjosës dhe liqenit të Janinës ka pasoja të mëdha. Detyra jonë është të mbrojmë lumin Vjosa”, tha Bekteshi.

Ndërsa Sokol Gjoka, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme u shpreh se Vjosa është pak e kërcënuar. “Për të mos lejuar devijimin e lumit Vjosa, MPJ i ka ngritur radarët për ndjekjen e situatës, por çështjet e ujërave të ëmbla ndërkufitare janë çështje të dosjeve dypalëshe. Ministri Bushati që pati më 24 shkurt me ministrin e jashtëm grek, e ngriti çështjen e lumit Vjosa. Pala greke pretendon se nuk do ta prekë lumin Vjosa dhe s’ka tentativa. Ne po e monitorojmë situatën, në mënyrë që kjo të jetë realitet. Aktualisht pala greke ka njoftuar për një studim menaxherial të të gjithë zonës, jo vetëm për Vjosën. Ne kemi kërkuar që edhe për këtë studim të informohet shteti shqiptar, ndërkohë që kemi aktivizuar edhe komisionin dy palësh për trajtimin e ujërave të ëmbla”, tha Gjoka.

Bekteshi: Janë parashikuar të ngrihen 8 HEC-e nga ana e Greqisë, jemi kundër, asnjë HEC në Vjosë Jemi për një master-plan kombëtar.

Gjoka: Brenda harkut kohor të një muaji ja kemi përcjellë mesazhin palës greke “Të mos preket lumi Vjosa”. Për ti bërë të ndërgjegjshëm se nuk do të lejojmë devijimin e lumit Vjosa dhe nga ana tjetër ata kanë detyrimin ligjor të na njoftojnë për çdo ndryshim.

Memko: Për tu përshëndetur shoqëria civile që ka arritur në këtë stad. Në lidhje me HEC-et, jap një garanci se ccdo leje që jepet ka një kusht dhe kushti është që nuk duhet të cenohet në asnjë mënyrë uji për vaditje.

Feruni: Për Langaricën nuk e keni respektuar këtë fare. Në raport me shoqërinë civile duhet të ndryshoni kahun e vektorit, jo vetëm shoqëria civile të shkojë tek ministria, por edhe anasjelltas, që të pyetet shoqëria civile, kjo ka munguar.

Në “Njerëz në Fokus” është transmetuar video ekskluzive ku devijon lumi Radika në Maqedoni. Nga vendi ku devijon lumi ka raportuar gazetari i News24 dhe Gazeta Shqiptare, Enver Doçi. Për këtë projekt kanë folur për herë të parë zyrtarë në komunën e Dibrës së Madhe dhe shqiptarët e Maqedonisë. Ata kanë pohuar se lumi Radika po devijohet, në bazë të marrëveshjeve të fshehta.

“Po punohet për devijimin e lumit Radika. Ka një marrëveshje politike të fshehtë mes dy shteteve. Gjakun e japim, Radikën nuk e japim”, tha Arjan Oboku, nëpunës në Administratën e Maqedonisë.

Ndërsa Durim Fetahu, këshilltar urbanistik në Administratën e Maqedonisë tha se politika po e gënjen popullin për çështjen e Radikës. “Po punohet për devijimin e Radikës”, tha Fetahu.

Për këtë çështje është prononcuar edhe Sherefedin Shehu, Deputet i PD-së për Qarkun e Dibrës. “Qeveria s’ka bërë asgjë për parandalimin e devijimit. I kam kërkuar ministrit, qëndrime konkrete”, tha Shehu.

Ndërkohë pas marrjes së intervistave dhe pamjeve filmike të punimeve që po kryhen mbi lumin Radika, grupi xhirimit të News24, u bllokua 30 minuta në kufi, por fatmirësisht gazetari Enver Doçi arriti të fshehë kasetën me xhirime.

Gjoka: Edhe Radika si lumi Vjosa nuk përbën asnjë lloj ndryshimi për qeverinë. Nuk ka marrëveshje të fshehtë mes shtetit shqiptar dhe atij maqedonas. Nuk e konceptoj dot që një qeveri të punojë kundër interesave të vendit. Për mua është absurde të ketë një marrëveshje mes qeverive, për shkatërrimin e ekosistemit, të biodiversitetit. Qeveria shqiptare e angazhuar në raport me qeverinë maqedonase që problemi të trajtohet në mënyrë dypalëshe.

A po devijohet Radika?

Ka punime që po bëhen. I është kërkuar palës maqedonase nënshkrimi i një marrëveshjeje të përbashkët. Kam një informacion të datës 24 shkurt ku thotë që BERZH-i ka pezulluar në një afat të pacaktuar projektin mbi lumin Radika. Ne u interesuam. Nga zyrat e BERZH-it ky informacion pranohet ndërsa nga qeveria maqedonase akoma nuk është konfirmuar.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: