DURRES
Mjeshtri i madh i skenës, një prej themeluesve të teatrit ‘Aleksandër Mosiu’, Lutfi Hoxha, ka mbushur 85 vjeç.
Ishin miqtë e tij me të cilët ka ndarë për më shumë se 66 vjet në skenë duke arkivuar 95 role në teatër, 22 në film dhe dhjetëra në estradë, të cilët i bënë edhe një takim surprizë me rastin e 85 vjetorit, duke u mbledhur në odeonin Nikolin Xhoja, në teatrin ‘Aleksandër Mosiu’.
Plejada e çmuar e artistëve midis tyre regjisori Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, aktorët Aishe Stari, Elibeti Tirana, Hysen Bashhysa, e dhjetarë të rinj kanë marrë pjesë në takimin jubile. Regjisori Haxhi Rama, i cili ishte inisiator i kësaj ceremonie solli disa kujtime duke e konsideruar “mbret” të skenës mjeshtrin e madh.
Regjisori Gjergj Vlashi është i pari që evidentoi talentin e Lutfi Hoxhës. Që në pjesmarrjen e tij të parë në një rol në skenë u vlerësua me çmimin e parë pavarësisht se erdhi nga klasa punëtore si një punëtor I kantierit detar. Karriera e tij erdhi në ngjitje duke marrë pjesë në e duke bërë për vete publikun e gjerë që sapo ngjitej në teatër e vlerësonin edhe më shumë me duartrokitje.
Fjalën e kanë marrë Sanie Hoti, Hysen Bashhysa, Roland Kova, Muharrem Hoxha , Aishe Stari, Edmond Halili, akorët me të cilët ka ndarë skenën dhe një jetë të re në qytetin bregdetar.
Vetë artisiti Hoxha të cilin e karakterizon modestia është ndjerë thellësisht i vlerësuar dhe i emocionuar nga fjalët që të gjithë kolegët e tij thanë për të.
Vitin e kaluar, 85-vjeçari Hoxha, interpretoi në filmin artistik “Derë e Hapur”, duke thyer edhe një rekord tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, karrierë që nis me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1956.
Lutfi Hoxha ka ardhur në teatrin e Durrësit “me pantallona të shkurtra”. Ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit më të ri dramatik në vend.
(Balkan Web)