Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) e drejtuar nga Dashamir Shehi dhe Partia Djathtas 1912 e Enkelejd Alibeajt do të jenë në koalicion së bashku për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Pas krijimit të koalicionit të përbashkët, Shehi ka shpërndarë foton e politikanëve të dy partive. Ai deklaron se kjo ngjarje është “tym i bardhë për demokracinë shqiptare”. Sipas Shehit, sot janë hedhur themelet e një koalicioni të gjerë vleash për zgjedhjet e 2025. Shehi se ky pol opozitar synon që përfaqësimin e shqiptarëve që janë të lodhur me PS e PD. Po ashtu, Shehi iu ka bërë thirrje të gjithë subjekteve politike që ndajnë të njëjtat parime, që të bashkohen në këtë rrugëtim historik.
“Ky ishte hapi i parë i LZHK dhe ‘Djathtas 1912’ për krijimin e polit të ri opozitar, që është aq i domosdoshëm në përfaqësimin e atij numri të lartë të shqiptarëve që nuk votojnë, ose janë lodhur me PS dhe PD. Ftojmë të gjitha subjektet e tjera politike që ndajnë të njëjtat parime, të na bashkohen në këtë rrugëtim historik”, shprehet Shehi.
Postimi i kreut të LZHK, Dashamir Shehi:
‘Tym i bardhë’ për demokracinë shqiptare, sot hodhëm ‘themelet’ e një koalicioni të gjerë vlerash për zgjedhjet e vitit 2025!
Ky ishte hapi i parë i LZHK dhe ‘Djathtas 1912’ për krijimin e polit të ri opozitar, që është aq i domosdoshëm në përfaqësimin e atij numri të lartë të shqiptarëve që nuk votojnë, ose janë lodhur me PS dhe PD.
Ftojmë të gjitha subjektet e tjera politike që ndajnë të njëjtat parime, të na bashkohen në këtë rrugëtim historik.
Deklarata e përbashkët për shtyp e LZHK dhe ‘Djathtas 1912’:
Shqipëria ndodhet në një moment kyç të zhvillimit të saj historik. Demokracia dhe sistemi i pushtetit publik po kalojnë një krizë të thellë të legjitimitetit, ndërsa përfaqësimi qytetar mbetet i kufizuar dhe vullneti i qytetarëve nuk reflektohet në proçeset e vendimmarrjes.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, përmes ndryshimeve të fundit në ligjin zgjedhor, kanë krijuar dhe konsoliduar një sistem zgjedhor të mbyllur, i cili për më shumë se tre dekada ka mbajtur vendin në një model politik dhe ekonomik të dështuar e të korruptuar. Kodet Zgjedhore që prej vitit 2008 e kanë nxjerrë Kuvendin e Shqipërisë nga roli i tij kushtetues i kontrollit mbi qeverinë.
Gjatë këtyre 34 viteve, Shqipëria ka mbijetuar falë shpresës së qytetarëve të saj. Por, kjo shpresë nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret. Shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente për ndërtimin e një shteti të së drejtës, të mbështetur nga një sistem drejtësie i pavarur, që ndëshkon korrupsionin politik dhe lufton krimin e organizuar. Përmbushja e këtij qëllimi kërkon një angazhim të qartë dhe të palëkundur politik, veçanërisht në Kuvendin e Shqipërisë.
Një marrëdhënie më e thellë dhe më transparente me partnerët ndërkombëtarë është thelbësore për përshpejtimin e integrimit evropian. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm të këtij proçesi. Për të ecur përpara, kërkohet një pakt i ri dhe gjithëpërfshirës me qytetarët, që promovon një kulturë të re politike, me dialog të hapur dhe përfshirje të plotë të tyre në vendimmarrje.
Në kushtet kur grupimet kryesore politike kanë mbyllur listat zgjedhore dhe kanë forcuar një sistem që favorizon qeverisjen autoritare dhe të korruptuar, është thelbësore të ndërmerret një veprim i përbashkët dhe i vendosur. Të gjithë ata që mbështesin hapjen e listave zgjedhore dhe ndajnë vlerat e demokracisë duhet të bashkohen në një koalicion të gjerë dhe të fuqishëm parazgjedhor.
Partia “Djathtas 1912”, LZHK dhe forca të tjera politike kanë përdorur çdo mjet ligjor dhe institucional për të garantuar respektimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Përpjekjet tona në Gjykatën Kushtetuese për të rikthyer Kodin Zgjedhor në përputhje me Kushtetutën dhe për të hapur listat zgjedhore nuk arritën rezultatin e dëshiruar. Kjo përbën një mundësi të humbur për demokratizimin e vendit dhe për rrëzimin e një sistemi politik të dështuar.
Megjithatë, mundësitë për ndryshim mbeten të hapura. Shoqëria shqiptare kërkon me urgjencë një transformim politik dhe social. Duke u frymëzuar nga ky moment dhe kërkesat e qytetarëve, ne sot paraqesim publikisht një platformë për krijimin e një koalicioni të gjerë, të bazuar në vlerat e demokracisë, përfaqësimit dhe përfshirjes qytetare.
Kjo platformë është një apel për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë, publikë dhe qytetarë që dëshirojnë të kontribuojnë në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë dhe më të mirë. Synimi ynë nuk është vetëm përmirësimi i ofertës politike, por edhe konkretizimi i saj në një koalicion të gjerë që reflekton kërkesat e qytetarëve për ndryshim.
Dokumenti që prezantojmë sot synon të nxisë një debat të gjerë publik dhe politik mbi modalitetet dhe objektivat e këtij koalicioni. Ai mbetet i hapur për komente, sugjerime dhe përmirësime nga të gjithë ata që ndajnë vlerat themelore të demokracisë dhe ndiejnë urgjencën për transformim.
Proçesi i ndërtimit të këtij koalicioni do të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke angazhuar politikën dhe qytetarët në mënyrë të barabartë.
Faleminderit opinionit publik dhe mediave për mbështetjen tuaj në këtë rrugëtim të rëndësishem për Shqipërinë!
(Balkanweb)