Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel i shprehën mbështetjen e tyre presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe i bënë thirrje Rusisë të tërheqë trupat e saj në kufirin me Ukrainën, me qëllim uljen e tensioneve në një kontekst shumë të paqëndrueshëm.
Të tre liderët ndanë, gjatë një videokonference, “shqetësimet e tyre në lidhje me rritjen në numër të trupave ruse në kufirin me Ukrainën” dhe bënë thirrje për një tërheqje të “këtyre përforcimeve në mënyrë që të arrihet ulje e tensioneve”, sipas një deklarate nga Kancelaria gjermane.
“Merkel dhe Macron gjithashtu theksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin e Ukrainës dhe presidentin e saj”, shtoi Presidenca franceze, duke theksuar se Zelensky kishte shprehur nga ana e tij një” dëshirë shumë të qartë për ulje të tensioneve”.
Prej disa javësh, përplasjet janë rritur midis Kievit dhe separatistëve pro-rusë në Donbass, ndërsa dhjetëra mijëra ushtarë rusë janë vendosur në kufi, duke ngritur frikën e një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë.//ATSH