Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shpresat i ka te Franca për zgjidhjen e problemeve me Kosovën.

Gjatë ditës së sotme në Beograd për vizitë dy-ditore do të arrijë presidenti francez, Emmanuel Macron.

Mirëpo, pak para vizitës së tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se pret mbështetje të madhe nga Franca e sidomos në zgjidhjen e problemeve me Kosovën, transmeton lajmi.net.

“Me padurim dhe me shpresa të mëdha po e pres vizitën jashtëzakonisht të rëndësishme të presidentit francez, Emmanuel Macron. Pres që pas kësaj vizite ne do të kemi mbështetje më të fortë dhe më të madhe të Francës rrugën tonë evropiane, por edhe në zgjidhjen e problemeve me Kosovën”, ka deklaruar Vuçiç.

Sipas tij, Macron deri më tani është treguar i sinqertë me kërkesat e Serbisë.

“Nuk do të mendojmë njëjtë, kjo është e pamundur. Por a do të mund t’i kuptojnë disa prej kërkesave dhe nevojave tona, Presidenti Macron e ka bërë një gjë të tillë, ai është i sinqertë dhe tani këtë e ka dëshmuar”, theksoi Vuçiç në “TV Pink”.

Sipas Vuçiçit, presidenti Macron është njeri shumë i hapur mirëpo, nuk është aspak e lehtë të flitet me të.

Theksojmë se presidenti Macron do të takohet me shumë zyrtarë serbë dhe se dialogu i Kosovë-Serbi, do të jetë tema kryesore e vizitës së tij.

Dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet serbe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb