Pas Samitit të djeshëm në Bruksel, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi para mediave se liderët e koalicionit që mbështet Ukrainën do të takohen sërish javën e ardhshme, duke shpresuar të finalizojnë planet për të siguruar një armëpushim të mundshëm në luftën me Rusinë.

Takimi në Paris me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky do të jetë pas një seri takimesh në nivele të larta dhe pasi Kievi dhe Moska të mbajnë bisedime në Arabinë Saudite me Shtetet e Bashkuara të hënën.

Njoftimi i Macron të enjten erdhi pasi Londra ishte mikpritëse e drejtuesve të lartë ushtarakë nga i ashtuquajturi “koalicioni i të vullnetit” rreth Ukrainës, po ditën e djeshme.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se planet për sigurimin e një armëpushimi të mundshëm po “bashkohen” teksa presidenti i SHBA-së Donald Trump po ecën përpara me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj kundër Ukrainës.

Macron, i cili së bashku me Starmer është i gatshëm të dislokojë trupa në Ukrainë, tha se takimi të enjten e ardhshme do të jetë një shans për të “rregulluar” punën për të siguruar që çdo armëpushim të jetë i qëndrueshëm.

Ndërkohë, Zelensky tha në samitin e djeshëm të BE-së se “asgjë nuk kishte ndryshuar” pasi Moska ka vazhduar bombardimet pavarësisht se ra dakord me Trump për të ndalur sulmet në sistemin energjetik të Ukrainës.

Zelensky tha se presidenti rus Vladimir Putin duhet “të ndalojë së bërë kërkesa të panevojshme që vetëm zgjasin luftën”, duke i bërë thirrje BE-së të rrisë dërgesat e armëve dhe të mbajë sanksionet në fuqi.

Udhëheqësit e BE-së u zotuan në një deklaratë të përbashkët, e cila u ra dakord pa mbështetjen e Hungarisë miqësore me Rusinë, për të rritur mbështetjen ushtarake, pavarësisht nga kërkesat e Moskës për të ndaluar mbështetjen e huaj.

Por ata nuk miratuan një kërkesë nga Zelensky, e shtyrë nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për t’i dhënë Kievit pesë miliardë euro (5.4 miliardë dollarë) për predha artilerie, përballë kundërshtimit nga Franca dhe Italia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb