Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro ka nënshkruar një dekret që bllokon aksesin në platformën e mediave sociale X, dikur Tuitter, për 10 ditë pas një grindjeje publike me pronarin Elon Musk.

Të dy burrat kanë shkëmbyer replika, që kur Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të muajit të kaluar. Musk e ka përshkruar liderin venezuelian si një “diktator” dhe “klloun”, ndërsa Maduro e ka akuzuar Musk për nxitje të “urrejtjes, fashizmit [e] luftës civile”.

Javët e fundit janë ndezur protesta antiqeveritare për rezultatin e zgjedhjeve dhe qindra njerëz janë arrestuar nga forcat e sigurisë të Venezuelës. Votimi, i mbajtur më 28 korrik, është përshkruar si “jodemokratik” nga vëzhguesit e pavarur dhe opozita kryesore ka thënë se ka prova që kandidati i saj, Edmundo González, fitoi me një diferencë të madhe.

Maduro ka pohuar se autoriteti zgjedhor i vendit, Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE), ishte objektivi i një “grushti kibernetik” gjatë zgjedhjeve dhe akuzoi Musk për organizimin e një “sulmi” ndaj ofertës së tij për rizgjedhje.

Qendra Carter, e cila vëzhgoi zgjedhjet me ftesë të qeverisë venezueliane, tha se nuk pa “asnjë provë” të ndonjë sulmi kibernetik. Në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror të enjten mbrëma, Maduro tha se X do të “tërhiqej nga qarkullimi” nga agjencia shtetërore përgjegjëse për telekomunikacionet.

“Elon Musk është pronar i X dhe ka shkelur të gjitha rregullat”, tha ai. “Ai ka shkelur rregullat duke nxitur urrejtje, fashizëm, luftë civile, vdekje, konfrontim të venezuelianëve dhe ka shkelur të gjitha ligjet venezueliane”. Në postimet në X përpara zgjedhjeve presidenciale, Musk shprehu mbështetje për opozitën kryesore, duke thënë: “Është koha që populli i Venezuelës të ketë mundësinë për një të ardhme më të mirë”.

Pas rezultateve, ai pretendoi se kishte pasur “mashtrim të madh zgjedhor nga Maduro” dhe shkroi: “Turp për diktatorin Maduro”. Ai gjithashtu e krahasoi inteligjencën e Maduros me atë të një gomari dhe tha se “popullit të Venezuelës u mjaftua me këtë klloun”.

CNE e ka shpallur Maduron fituesin e zgjedhjeve, por ende nuk ka publikuar listën zyrtare të votave. Thirrjet e opozitës për publikimin e të dhënave janë bërë jehonë nga qeveritë e Brazilit, Kolumbisë dhe Meksikës. Qeveria e SHBA-së, Argjentinës, Uruguait dhe Ekuadorit e kanë njohur të gjithë Gonzálezin si fitues të votimit.

Në vlerësimin e saj, Qendra Carter tha se zgjedhjet “nuk përmbushën standardet ndërkombëtare të integritetit zgjedhor dhe nuk mund të konsiderohen demokratike”. Gjykata e Lartë e Venezuelës ka thirrur përfaqësuesit e të gjitha partive dhe kandidatëve për të paraqitur votat e tyre deri të premten. Maduro ka thënë se do të marrë pjesë në gjykatë të premten, por González ka thënë se pjesëmarrja në seancë do ta bënte atë “plotësisht të cenueshëm për shkak të pafuqisë dhe shkeljes së procesit të rregullt”./BBC/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: