ITALI

Prokuroria e Palermos, falë edhe deklaratave të dy të penduarve të rinj, ka ndaluar shtatë persona të akuzuar si pjesë e Komisionit të ri të Cosa Nostrës. Ndër të arrestuarit janë Leandro Greco, nipi i Michele Greco, “Babai” i Cosa Nostra-s, dhe Calogero Lo Piccolo, biri i bosit Salvatore Lo Piccolo.

Projekti për t’i dhënë jetë Kupolës ishte zbuluar në dhjetor dhe kishte çuar në arrestimin e 47 personave mes bosëve dhe vartësve.

Ndalohet edhe Giovanni Sirchia, i lidhur me familjen mafioze të Passo di Rigano dhe i akuzuar se ka marrë pjesë në rindërtimin e organit drejtues të Cosa Nostra-s duke u kujdesur për dorëzimin tek shefat të thirrjeve për takimin dhe duke shoqëruar disa kumbarë në takime. Në qeli edhe Giuseppe Serio, Erasmo Lo Bello, Pietro Lo Sicco dhe Carmelo Cacocciola, të akuzuar për organizatë mafioze dhe disa episode të zhvatjes në territorin e organizatës mafioze të San Lorenzos.

Vendimtare për operacionin rrëfimet e dy bosëve të penduar të Kupolës së re Francesco Colletti, kapomafia e Villabate që u ndalua më 4 dhjetor dhe Filippo Bisconti, që përfundoi në pranga nga i njëjti hetim. Të dy i kanë zbuluar magjistratëve rolin e tyre në samitet e Villabates dhe Belmonte Mezzagno.

Të dy kanë konfirmuar edhe riorganizimin e Komisionit rajonal të Cosa Nostra, duke zbuluar dinamikën e brendshme të saj dhe kanë dhënë elemente të rëndësishme për Leandro Greco, Calogero Lo Piccolo dhe Giovanni Sirchia.

Colletti, në krye të Komisionit të ri, u interceptua ndërsa fliste në makinë me shoferin e tij Filippo Cusimano. “Sidoqoftë është bërë një gjë e bukur… për mua kjo është një gjë e bukur… shumë serioze… shumë… me njerëz të bukur … bukur! E madhe! Njerëz të vendit … njerëz të vjetër nga kudo”, tha ai, duke konfirmuar dyshimet e hetuesve për rivendosjen e organit drejtues.

Leandro Greco, 29 vjeç, thirrej me nofkën “gjyshi”. Babai i tij Giuseppe, i cili vdiq disa vite më parë, kishte ndërprerë “traditën” e familjes dhe punonte si regjisor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb