Gugash Magani e nisi me fitore aventurën e tij numër “dy” me tutat e Tiranës. Një 4-0 ndaj Bylisit, që solli qetësinë monetare te bardheblutë.
Magani nuk është se në skuadër ndryshoi ndonjë gjë të madhe. Thjesht, Përgjonin e ktheu në fushë pas dëmtimit, Isufin e aktivizoi në pozicionin e tij, ashtu siç bëri me Gjumsin, ndërsa uli në stol Abahun, një nga më të dobëtit në fushë gjatë pjesës së parë të kampionatit. Të gjithë mund të thonë se skuadra ka ndryshuar, por ky do të ishte naiviteti më i madh. Edhe trajneri i Tiranës, e di. E tha para mediave se Bylisi nuk tregon asgjë, dhe se tani fillon malorja për skuadrën dhe vetë Maganin.
PROVA E MADHE – Magani e di mirë se prova e madhe e skuadrës së tij janë pesë ndeshjet e mbetura të fazës së dytë. Testi i “zjarrit” është 270 minutëshi Elbasani e dy derbet. Këtu do të shihet nëse forca e ekipit të tij është nënvlerësuar. Kjo, sepse nëse ekipi barazon apo humbet me këta tre kundërshtarë, atëherë e komplikon jo pak situatën. Plusi në pesë javët e mbetura është se do të luajë me Teutën, në shtëpi, Skënderbeun jashtë.
Dy ndeshje që duhet t’i fitojë me doemos. Si Elbasani dhe dy derbet janë një thikë me dy “presa”, sepse tani Tiranës i duhet të fitojë, për t’u ngjitur në renditje, dhe të tregojë forcën para të mëdhave.
Për t’u shënuar është edhe fakti që Tirana nuk ka ndryshuar asnjë presje nga faza e parë. Nëse në 9 javët e para grumbulloi 10 pikë, në këtë fazë të dytë në katër javë ka marrë 4 pikë. Kaq mori edhe në fazën e parë po në katër ndeshjet e para. Shkurt, udhëtimi është linear…