Në historinë gjermane të 80 viteve të fundit nuk ka patur një hyrje të tillë aq të nxehtë dhe problematike në fushatat zgjedhore si me këto të 23 Shkurtit që sapo u shpallën! Që janë tejet të rralla për Gjermaninë, të katërtat e këtij lloji, të shkaktuara nga shkërmoqja e “ Semaforit qeveritar“ të Kancelarit Olaf Scholz kjo është vetëm gjysma e të keqes. E keqja më e madhe e cila tronditi gjithë vendin dhe Europën ndodhi më 20 Dhjetor, kur krimineli me origjinë saudite Taleb u fut me një autoveturë të marrë me qera mes njerëzve në Tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, duke lënë 5 viktima dhe duke plagosur me qindra të tjerë.
Ky sulm çnjerëzor u bë vetëm 4 ditë mbas humbjes së votbesimit të qeverisë gjermane në Bundestag. Disfatë e madhe për social-demokratët, vetëm 3 vjet mbas riardhjes në pushtet, të cilët në sondazhet e muajve të fundit kanë rënë në nivelet më të ulta historike me 15 – 16 për qind. Mbas humbjeve poshtëruese vitin e kaluar në zgjedhjet europiane me 14 për qind dhe në 2 rajone me vetëm 8 dhe 6 për qind!
Mirëpo Magdeburgu nuk ishte i vetmi rast tragjik vitet e fundit dhe as më 2024; më 23 Gusht, në Solingen, një azilant sirian sulmoi dhe vrau me thikë tre vetë dhe plagosi tetë të tjerë, ndërsa më 31 Maj në Manheim një azilant afgan sulmoi turmat duke vrarë një punonjës policie e duke plagosur disa të tjerë.
Dy atentatet e fundit evidentuan shqetësimin e madh gjerman lidhur me krimet me thika, përdorimi i të cilave gjatë vitit 2024 është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2023. Ndonëse qeveria mbas sulmit me thikë në Solingen në gusht 2024 ka miratuar një Paketë Sigurie, e cila ndalon mbajtjen e tyre në evente artistike, sportive dhe manifestime të ndryshme, kjo paketë sërish nuk po zbatohet.
Duke iu rikthyer sulmit me automjet në Magdeburg, ajo çka ka shtuar indinjatën dhe zemërimin masiv të qytetarëve është se autori, mjek psikiatër, kualifikimi i të cilit tani është vënë në dyshim dhe po hetohet pas disa sinjalizimeve nga mjekë dhe pacientë, ishte qytetar saudit që kishte fituar shtetësinë gjermane më 2016.
Ca më keq akoma, autoritetet e sigurisë dhe policisë gjermane në Berlin dhe në Magdeburg i kishin skedat e tij kriminale. Mbas vitit 2013 Taleb është akuzuar në vazhdimësi për shkelje të ligjit, sulme, kërcënime, dhunë te kolegët, etj. E megjithatë, gjykatat dhe autoritetet kishin heshtur, se demek nuk kishte rrezikshmëri. Dhe pse Talebi kishte paralajmëruar hakmarrjen ndaj Gjermanisë për tolerancën ndaj islamit dhe në rrjetet sociale. Madje, majin e kaluar dhe vetë Ministrja e Brendshme Federale, Nancy Faeser kishte lexuar në twitter paralajmërimin e tij se ”do të vdiste një ditë për të vendosur drejtësi në Gjermani”! Mirëpo dhe ai mesazh kishte kaluar për “kompetencë“ më tej dhe pa asnjë veprim të mëtejshëm. I çuditshëm pretendimi se ai nuk paraqiste rrezik, mbasi nuk ishte islamik.
Mirëpo dhe Breivik që më 2011 masakroi 77 vetë në Oslo ishte norvegjez i pastër, por ja që krimi dhe krimineli nuk ka as ngjyrë politike dhe as fetare!
WIEDER, WIEDER, WIEDER!!!! ( Prapë, prapë dhe prapë) kjo është kryefjala e protestës masive e shprehur këto ditë me një fjalë të vetme në median dhe opinionin publik gjerman. Me pyetjen madhore ”Deri kur” që kërkon me të madhe përgjigje nga organet ligjzbatuese në Gjermani; që të mos ketë më viktima të tjera.
Ja pse, me të drejtë, akti kriminal në Magdeburg ka ringjallur debate dhe diskutime pa fund, mbi të gjitha lidhur me aftësitë dhe kapacitetet e organeve ligjzbatuese për kapjen, zbulimin, ndërveprimin dhe eliminimin e autorëve deri te mbyllja e çdo shtegu nga policia për sulme të tilla terroriste si në rastin e Magdeburgut.
Lidhur me sa më sipër, Peter Neuman, një ndër ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të anti-terrorit, thotë se organet e zbulimit gjerman punojnë akoma me metoda dhe aparatura të periudhës së Luftës së Ftohtë. Veç kësaj, sot nuk mjafton të kesh një bazë me të dhëna nga përgjimet, por kërkohet reagim dhe ndërveprim i shpejtë dhe efikas për paralizimin dhe shmagien e akteve terroriste dhe autorëve të tyre. Duke filluar nga dëbimi i menjëheshëm kur tregojnë shenjat e para. Dhe jo të shtyhet si në rastin e atentatorit të Solingenit që duhej të ishte deportuar qysh një vit më parë.
Por dhe në rastin e Magdeburgut, autoriteteve gjermane u ishte kërkuar riatdhesimi i tij në Riad nga kolegët e tyre sauditë 2 herë në vitin 2023 dhe së fundi në shtator 2024, për shkak të rrezikshmërisë së tij. Mirëpo ata hezituan në emër të mbrojtjes së sekretit profesional dhe të drejtave të njeriut! Duke lënë pas dore me naivitet të drejtat dhe mbi të gjitha jetën e viktimave të pafajshme dhe qindra të plagosurve të tjerë. Ama, të bukur siguri, drejtësi dhe demokraci që na mësojnë!
Më kujtohet në vitin 2002, gjatë një dreke zyrtare me ministrin e Brendshëm gjerman të asaj kohe, Otto Schilly, personalitet dhe politikan brilant i “shkollës së vjetër“ që i mungon shumë Gjermanisë, mbasi e përgëzuam për emrin e mirë të policisë gjermane, ai na falenderoi me modesti, por theksoi se është më vështirë ta mbajmë këtë nam që kemi fituar“! Si duken punët, “Otto i kuq“ ka patur të drejtë!
Ja me këtë tabllo tejet të zymtë të sigurisë, plus problematikat e tjera ulëritëse, si rënia e rritjes ekonomike në minus, shtimi i papunësisë, rritja 30 për qind e çmimeve të artikujve bazë dhe mbi 35 për qind e gazit dhe energjise elektrike, etj shkon në zgjedhjet e parakohshme të 23 Shkurtit Gjermania dhe partitë e saj parlamentare. Padyshim që më e ngarkuara dhe më e goditura është SPD-ja, e cila kryesoi koalicionin qeveritar me të Gjelbërit dhe Liberalët. Ndonëse dhe deri sa ndodhi Magdeburgu, ajo ishte në gjendje të mjerueshme politike, siç u tregua dhe më lart, jo vetëm në sondazhe por mbi të gjitha në provat e rëndësishme zgjedhorë të gjysmës së dytë të vitit 2024. Edhe pse, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave dhe kërkesave të zgjedhësve dhe për një imazh më të pëlqyeshëm ajo kishte bërë disa propozime pikante sociale, tanimë i duhet të rishohë programin, premtimet dhe angazhimet e saj në fushën e sigurisë publike në të gjitha elementët e saj. “Boll më me premtime“ bërtasin të gjithë dhe kjo kambanë alarmi është në radhë të parë për SPD-në dhe Kancelarin e saj Olaf Scholz, i cili ka dhe papëlqyeshmërinë më të madhe publike. Asaj do t’i drejtohen me breshëri gjatë fushatës pyetjet e vështira “Përse ndodhën këto atentate dhe gjatë qeverisjes tuaj tre vjeçare dhe cilat janë garancitë për shmangien e tyre? Po ndaj emigrantëve të paligjshëm dhe të dënuar ç‘qëndrim do të mbani, ashtu si deri tani apo më fort?“
As CDU-ja dhe kandidati i saj për Kancelar, Friedrich Merz nuk i bën dot bisht kësaj pyetjeje dhe përgjegjësie madhore, mbasi dhe ajo deri më 2021 ishte në pushtet bashkë me social-demoratët, veç qeverisjes në disa lande, përfshirë dhe Magdeburgun e 20 Dhjetorit 2024. E njëjta gjë, por në një masë më të vogël mund të thuhet për Liberalët dhe të Gjelbërit, të cilët gjithashtu duhet të tërhiqen nga disa premtime dhe të reagojnë ndaj shqetësimit më madhor – sigurinë e jetës.
Ndërkohë, ngjarja tragjike në Magdeburg duket se ka spostuar vëmendjen politike dhe publike nga Ukraina dhe mbështetja për të. Duke përfshirë këtu dhe rënien e frymës së mbështetjes dhe rritjen e ndikimit të “Miqve të Putinit“ që në Gjermani janë të shumtë, duke filluar nga brenda SPD-së, e pastaj të AfD-ja dhe Aleanca “BSW“e Sahra Wagencht, të cilët kërkojnë paqe në Ukrainë dhe gazin e lirë rus.
Padyshim që forca politike që përfiton më shumë nga ky moment është AfD-ja. 20 Dhjetori në Magdeburg i dha asaj “municion“ të bollshëm dhe të gatshëm “për qitje“ kundër partive të tjera tradicionale me nëntekstin e fortë: “E shihni, a ju paralajmëruam se me këto politika “nuk kemi gjë në torbë“? Dëgjojeni thirjen tonë, nuk na intereson mbështetja për Ukrainën, së pari dhe mbi të gjitha duam Gjermani të fortë, të sigurt, pa emigrantë, jemi për remigracionin, dmth kthimin e tyre andej nga kanë ardhur; dhe ata që mund të qëndrojnë, t’u ofrohen vetëm tri B-të “Brot, Bett, Butter“ ( bukë, gjalpë, shtrat) e deri te dalja nga BE-ja, shkaktare sipas tyre e të këqiave që kanë përfshirë Gjermaninë, ekonominë dhe jetën tonë!
Veç rezultateve të larta të tyre të kohëve të fundit në zgjedhjet europiane dhe duke dalë e para ose e dyta në zgjedhjet në tri lande vjeshtën e kaluar, AfD-ja është ngjitur ndjeshëm dhe qëndrueshëm në të gjitha sondazhet serioze. Aktualisht, ajo renditet e dyta mbas CDU-së, ndërsa liderja e saj, Alice Weidel renditet në të njëjtin nivel me Olaf Scholz në distancë nga lideri i CDU-së Fridrich Merz me 20 për qind!
Në këtë atmosferë tejet të ndezur, multimiliarderi Elon Musk “i hodhi dhe më shumë benzinë zjarrit“ ekstremist. Krahas sulmeve personale ndaj Kancelarit Scholz, të padenja për një personalitet dhe zyrtar si Musk, ai shkoi dhe më larg, duke e shpallur AfD-në si alternativën e vetme të sigurt për Gjermaninë. Edhe pse nuk dihet qëndrimi i Trump ndaj kësaj deklarate, ajo ishte padyshim një “dhuratë politike“ për Krishtlindje për AfD-në, liderja e të cilës nxitoi të falenderonte Musk dhe vetë Trumpin për besimin. Dhe kjo nuk ishte diçka spontane; dhe më parë Musk ka lëshuar deklarata të tilla. Po ashtu kohët e fundit ai ka takuar liderin breksitist Nigel Farage dhe i ka premtuar mbështetje dhe një ndihmë me 100 Milion Dollarë për ngritjen dhe forcimin e partisë së tij në Britani.
Përballë furisë së kundërshtimit kategorik ndaj asaj deklarate nga të gjithë liderët më të lartë gjermanë, me përjashtim të AfD-së, më 28 Dhjetor Elon Musk ka dhënë një intervistë të gjatë në të përditshmen gjermane “Welt am Sonntag“ ku rikonfirmon mbështetjen e tij për AfD-në, “si shpresa e fundit për shpëtimin e Gjermanisë“ Gjithashtu, ai i konsideron të dështuara partitë tradicionale, ndërsa AfD-në jo vetëm nuk e konsideron ekstremiste, por alternativën e veme për të shmangur status kuonë e tanishme të rrezikshme Gjermane.
Ndërkohë, në reagimin e tij ndaj shkrimit të Musk, Kryeredaktori i “Welt am Sonntag“ Jan Philipp Burgard nënvizon se “ndërsa diagnoza e Musk për sëmundjen gjermane është e saktë, terapia e tij është fatalisht e gabuar“ Sipas Burgard, largimi nga BE-ja, siç kërkon AfD-ja do të ishte shkatërrimtare për Gjermaninë, ashtu si dhe gazi i lirë rus nuk do ta shpëtonte atë. Mbi të gjitha, AfD-ja i kundërvihet vlerave më të mira perendimore“. Ai e mbyll komentin e tij, duke theksuar se “pohimet e Musk tregojnë se dhe një gjeni mund të gabojë“
Këto deklarime të Musk, si bashkëpuntor i ngushtë i Presidentit Trump kanë ngritur pikpyetje dhe shqetësime të shumta lidhur me rolin dhe qëndrimet e Administratës së re amerikane ndaj Gjermanisë dhe BE-së në përgjithësi. Rikujtojmë se dhe në vitin 2017, ish Këshilltari i Trump, Steve Bannon shkoi në Bruksel ku krijoi partinë “Lëvizja“ me synimin që të nxirrte forcat e ekstremit të djathtë të parat në zgjedhjet europiane të vitit 2019. Megjithë një rritje të lehtë të tyre, Bannon dështoi dhe u kthye duarbosh, madje u dënua për pjesëmarrjen e tij në rebelimin në Kapitol më 6 janar 2020.
Nuk duam të spekulojmë duke hamendësuar se ndoshta Presidenti Trump mund të ketë më të lehtë të veprojë me aleatët e tij europianë, duke patur bashkëbisedues liderë të ekstremit të djathtë, të cilët mund t’i vijnë më mirë e më lehtë “mbas midesë politike“ se sa liderët e partive tradicionale. Në fakt, Trump e ka shfaqur afërsinë me “simotrat“ e tij në Itali, Suedi, Francë, Holandë, etj.
Ja pse AfD-ja, hyn në këto zgjedhje me një bazë shumë më të gjerë elektorati, kryesisht të rinj dhe në zonat lindore dhe me avantazhe krahasuese. Ajo tashmë synon të ketë grupin e dytë më të madh në Bundestag, me qëllim që të përgatisë terrenin e nevojshëm, që pse jo të dalë e para në zgjedhjet e tjera të radhës.
Gjithsesi urojmë që SPD, CDU, të Gjelbërit dhe Liberalët të dalin fitues më 23 Shkurt, mbasi megjithë kusuret dhe dështimet, në 80 vitet e fundit demokratike, ato mbeten garante të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në Gjermani.
(BalkanWeb)