Zero goditje në kuadrat, 2 gola të pësuar, shumë dëshirë por pak klas dhe qartësi. Efekti “Air Albania Stadium” nuk pati asnjë ndikim, të paktën jo për mirë, të besuarit e Edi Rejas e vuajtën shumë presionin e tifozerisë, trysnisë për të inauguruar stadiumin e ri me një rezultat pozitiv, kjo u pa qartë thuajse në çdo aksion ku e kishin shumë të vështirë të dilnim përpara me aksione të logjikshme ndërsa nuk ishim as të qetë e as të mirë vendosur në fushë, në çdo zbritje të “gjelave” ishin në panik. Mbase ky është një diskutim që përballë kampionëve të botës ka pak rëndësi por sigurisht kjo ishte një ndeshje ku Shqipëria mund dhe duhet të bënte diçka më shumë.

Reja u përpoq që dhe në këtë sfidë të sillte diçka të re, provoi me Qosen në formacion por për fat të keq çdo ide, çdo llogari, mori një rrjedhë të fortë teksa Toliso na ndëshkoi që në minutën e 8-të. Pa shumë sforco, me qetësi dhe duke shfrytëzuar çdo gabim të Shqipërisë, Franca na ndëshkoi sërish në minutën e 30-të, një aksion ku të gjithë kishin pak faj, me Griezman që theu letargjinë në kryeqytet duke shënuar dhe golin e dytë, i pa shqetësuar në zemër të mbrojtjes.

Reja u provoi me fillimin e pjesës së dytë, të korrigjonte diçka, ti jepte më shumë shpejtësi dhe fantazi manovrës sulmuese, duke hedhur në fushë Memushaj dhe Roshin, por në asnjë moment nuk ishim kërcënues në portën e Francës, ishin dhe më fat pasi rezultati mund të ishte dhe më i thellë. Në fund si gjithnjë pjesa më e bukur e Shqipërisë janë tifozët, atmosfera në shkallët e stadiumin ishte thjeshtë fantastike.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: