Nga: JORGJI KOTE *

Akrepat e sahatit më 7 janar 2015 shënonin 11:53, as një orë nuk kishte kaluar nga vrasja makabre e martirëve të fjalës së lirë të “Charlie Hebdo”. Një kolegu i tyre, grafisti 39-vjeçar i revistës “Styllist”, Joachim Ronci, tregon se kishte mbetur i shokuar. Siç e pohon edhe vetë, në ato momente të papërshkruara tragjike kërkonte, por nuk po gjente dot fjalë për të shprehur dhimbjen e pamasë. Në ato çaste dëshpërimi, i erdhi fare papritur në mend libri që kishte lexuar me vajzën e tij të vogël “Ku është Charli”. Instiktivisht dhe si nevojë e brendshme për të shprehur jo vetëm indinjatën, por dhe solidaritetin me kolegët martirë, shqiptoi fjalinë me ato tri fjalë emblematike “Unë jam Charli!”. Në “Twitter” ato “fluturuan” te gazetarja Valerie Nataf e ‘TF1’ me 24 mijë ndjekës e pastaj tek aktori Sylvian Quimence alias Gunther Love me mbi 50 mijë ndjekës. “Unë jam Charlie” mori dhenë me shpejtësi kozmike dhe hyri në histori. Brenda disa orësh ajo ishte përhapur, stamposur dhe shfaqur pavdekësisht kudo, në godina, gazeta, institucione, në kronikat televizive dhe faqet e para të gazetave e revistave, në stacione treni, sheshe, dritaret e shtëpive, etj. Por, mbi të gjitha në zemrat e njerëzve në të gjithë globin. Me forcën e saj magjike i kapërceu kufijtë gjuhësore dhe gjeografike në të gjithë kontinentet, pushtoi mendjet dhe zemrat e të gjitha moshave, profesioneve, etnive, besimeve fetare, ngjyrave, bindjeve politike. Marshimi madhështor historik i 11 janarit në Paris, në shumë vende të tjera dhe në Shqipëri dëshmoi se “Unë jam Charlie” nuk është thjesht një shprehje pohimi dhe solidariteti; ai është betim emblematik se vërtet dora e terrorit i mori jetën Charlie Hebdo dhe kolegëve të tij, por ka me miliona “Charlie” të tjerë kudo, në çdo cep të botës! “Unë jam Charlie” është kushtrim për mobilizim popullor që mposht frikën, kërcënimet, plumbat, urrejtjen. Ai është dhe mesazhi i madh i paqes, bashkimit, unitetit ndërmjet popujve për afirmimin e vlerave më të mira njerëzore. Si e tillë, kjo sentencë madhështore ka zënë me shumë meritë vendin e saj në fondin historik të fjalës së lirë; në të gjitha zhanret, të folur por edhe të shkruar në poezi, në prozë, në tekste këngësh e partitura muzikore, të ilustruar edhe me karikaturat e famshme të ‘Charlie Hebdo’. “Unë jam Charlie” vijon dhe përforcon traditën e sentencave epokale të liderëve dhe personaliteteve botërorë që në shumicën e rasteve u kanë dhënë emrin fjalimeve të tyre. Kështu, me ligjëratën e paharruar në Dhomën e Komuneve në Londër, më 13 maj 1940, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Churchill, në prag të bombardimeve të egra hitleriane fitoi jo vetëm votëbesimin parlamentar por dhe betejën e parë, me fjalinë legjendare “lot, djersë, mund dhe gjak”. Nga fjalimi monumental i J.F.Kennedy në Berlin më 26 qershor 1963, dy vjet pas ngritjes së Murit famëkeq të Berlinit, mbahet mend dhe citohet pohimi i tij përmbyllës solemn në gjermanisht “Unë jam berlinez”. Ishte kjo fjali që shënoi fillimin e fundit të murit ogurzi. As dy muaj më vonë, më 28 gusht 2013, nobelisti i madh i Paqes, Martin Luter Kingu, ekzaltoi dhe ndryshoi botën me fjalinë profetike “Unë kam një ëndërr”. Gati dy vite më parë u shënua risia e parë, kur protagonistë të këtyre sentencave historike nuk ishin vetëm politikanët e lartë, por edhe njerëz të thjeshtë. Bota dëgjoi e mahnitur se si nobelistja pakistaneze atëherë vetëm 14 vjeç, pohoi përpara talebanëve pa iu dridhur qerpiku se “Unë jam Malala”. Si te Malala, edhe te “Unë jam Charlie” këto mesazhe lapidare nuk jepen me ligjërime në tubime, por lindin spontanisht me një fjali të vetme; falë dhe rrjeteve sociale, “sa hap e mbyll sytë” ato marrin përmasa vërtet planetare. Kjo është magjia e fjalës! Ndaj dhe Joachim Ronce nuk ka shumë dëshirë të flasë për autorësinë e tij dhe ka të drejtë, se tashmë “Të gjithë jemi Charlie”.

 

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb