TIRANE- “Nuk mund të bëhemi pjesë e një ligji i cili bie ndesh me Kushtetutën dhe ligji i propozuar nga PS, është antikushtetues”. Kështu është shprehur Këshilltari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, lidhur me ngërçin e krijuar me Shkollën e Magjistraturës.

Duke iu përgjigjur deklaratave të ambasadorëve të huaj në vendin tonë, të cilët e konsideruan si dështim të partive mosmiratimin në Kuvend të ligjit për Magjistratët, Gazmend Bardhi vlerëson se dështim është mënyra se si po tentohet të zbatohet reforma në drejtësi.

“Dështim i reformës në drejtësi, në këtë moment dhe i politikës është fakti që Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Dështim i politikës është të mos zgjidhësh hallin e madh që kanë shqiptarët që presin prej vitesh për të marrë drejtësi. Në Gjykatën e Lartë, janë 26 mijë dosje, dhe nëse Gjykata e Lartë bllokohet qoftë edhe për 6 muaj, të jeni të sigurtë që numri i atyre dosjeve mund të shkojë edhe në 30 – 40 mijë, dhe do të duhen rreth 5 vite për ta sjellë Gjykatën e Lartë në parametra të pranueshme. Çdo çështje tjetër që ka të bëjë me emërimin e magjistratëve që kanë mbaruar tani shkollën apo me pranimin e magjistratëve të rinj, është një situatë që nuk ka asnjë urgjencë dhe që zgjidhet në mënyrë të përshtatshme në momentin kur ngrihen KLGJ e KLP”, theksoi Bardhi.

Përfaqësuesi ligjor i PD sheh vetëm një zgjidhje në funksion zhbllokimit të ngërçit të krijuar me Shkollën e Magjistraturës.

“Nëse PS heq dorë nga projekti i kapjes politike së sistemit të drejtësisë, konsensusi është shumë i lehtë i arritshëm. Palët duhet të ulen për të zbatuar ndryshimet kushtetuese të miratuar me konsensus. Kemi arritur një konsensus në lidhje me reformën në drejtësi, dhe ai konsensus gjendet në Kushtetutë sot. Secila palë do të duhet të zbatojë Kushtetutën e vendit. PD nuk mund të bëhet palë e një deformimi të ndryshimeve kushtetuese, të bëjmë një pazar dhe ta ndajmë drejtësinë në copa”, theksoi ai.

Bardhi theksoi se: “Zgjidhja që jepet aty është kjo, që ta kuptojnë edhe qytetarët. Meqë nuk është ngritur KLGJ dhe KLP, kompetencën e tyre duhet ose ta ushtrojnë organet e vjetra të sistemit, si KLD apo organe që nuk ekzistojnë më, ose kompetencën ta marrë vetë Kuvendi. Ndërkohë që pushteti legjislativ është i ndarë nga pushteti gjyqësor, dhe kjo bie ndesh me një parim kushtetues. Ndaj ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj zgjidhje”.

Ai u shpreh se ajo që ka nevojë sot Shqipëria, është që të verë në zbatim reformën në drejtësi sipas ndryshimeve kushtetuese të miratuara me konsensus.

“Ajo që ne po themi nuk është të rikthehemi dhe të diskutojmë edhe një herë atë ç’ka kemi miratuar në ndryshimet kushtetuese. Por ajo që ne themi është që çdo situatë që ka krijuar këtë ngërç, si pasojë e miratimit të ligjeve të njëanshme, duhet të ulemi dhe ta zhbëjmë, për ta bërë bashkërisht ashtu siç kemi rënë dakord gjatë procesit të miratimit të ndryshimeve konsensuale kushtetuese”, theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb