Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka folur sot për angazhimin e qeverisë për të garantuar të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë, nga vendi ku ata ndodhen. Por ai është shprehur se mund të duhen ndryshime në Kushtetutë, ndërsa Kuvendi ka miratuar tashmë rezolutën e parë për diasporën, ku adresohet zgjidhja e çështjes së votimit të emigrantëve.

“Ajo që kam frikë është se duhet të prekim edhe Kushtetutën për votimin e emigrantëve, pasi një nga modelet e përshtatshme që do të garantojë pjesëmarrjen permanente të diasporës do të kërkojë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së deputeteve në Kuvend”, tha Majko për ERTV.

“Për fat të keq jemi treguar shumë detajit në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2009, të cilat e fokusuan për arsye të mosbesimit të palëve, çdo detaj të sistemit zgjedhor në Kushtetutë”, u shpreh më tej ai.
Ministri Majko tha se rezoluta është një dokument fundor, i cili profilizoi përfundimisht politikën zyrtare të shtetit shqiptar karshi diasporës.

“Kjo erdhi edhe si refleksion i miratimit, në një periudhë ndoshta nga më të shkurtrat të parlamentit shqiptar të tre ligjeve, Ligjit për Diasporën, Ligjit për Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe Ligjit për Fondin e Zhvillimit të Diasporës. Brenda këtij trekëndëshi janë duke u përgatitur një varg aktesh”, tha Majko.

“Sa i përket rezolutës, pavarësisht se opozita nuk ishte prezente në votim, ajo ka qenë prezente në diskutimin që është bërë në Komision. Fillimisht kanë qenë përfaqësuesit e LSI-së dhe mbledhjen e fundit kur është miratuar rezoluta kanë qenë edhe përfaqësues të PD-së. Sa i përket pjesëmarrjes në seancë, ky është një vendim politik që nuk ka të bëjë me rezolutën”, u shpreh ministri i Diasporës.
Majko theksoi se, “votimi është një moment i rëndësishëm, por që unë në përgjithësi kam qenë i rezervuar për të dhënë një formulë fundore për këtë çështje”.

“Dua të theksoj që rezoluta e nënvizon dhe i kërkon Komisionit të reformës zgjedhore që sa më shpejt të marrë një vendim për këtë çështje pasi i takon këtij Komisionit që të vendosë dhe unë i jam shmangur debateve të natyrave të tilla në publik pasi mendoj që kolegët e mi qofshin të majtë qofshin të djathtë në esencë janë shprehur pro votës së shtetasve tanë jashtë vendit. Kjo ka shumë rëndësi. Ajo që ne po diskutojmë aktualisht është mënyra sesi do ta realizojmë atë”, deklaroi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb