TIRANË

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko ka zhvilluar sot një interpelancë qytetare për të drejtën dhe garantimin e votës së shtetasve shqiptarë jashtë atdheut duke folur për masat e marra nga Komisionit i Reformës Zgjedhore apo institucione të tjera përgjegjëse si dhe për mundësitë se si shqiptarët jashtë vendit të bëhen pjesë e procesit të votimit.

Majko tha se të gjitha partitë në Shqipëri duan që shqiptarët jashtë të votojnë por nga pikëpamja teknike ka vonesë. Ai tha se në dhjetor do të paraqiten propozimet teknike.

“Të gjitha partitë politike janë shprehur dhe kanë thënë që ne jemi dakord që të jepet në zgjedhjet që vijnë votimi i shtetasve tanë jashtë vendit por nga pikëpamja teknike jemi të vonuar. Në dhjetor do paraqesim propozimet teknike. Domethënë unë do i çoj në qeveri dhe më pas në komisionin e reformës zgjedhore. Do jetë mbi planin A, pra me ndryshim të Kodit Zgjedhor por pa ndryshim Kushtetute.
Nëse do të prekim kushtetutën nuk diskutohet thjesht e drejta si çështje, e drejta e njerëzve tanë jashtë vendit, diskutohet edhe ndryshimi i sistemit, këtu duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë vendimesh do kemi. Po në çdo rast ne do kemi propozimet tona për ndryshimet teknike. Duhet një administratë e veçantë”, tha Majko.

Ai solli dhe një propozim apo shembull se si mund të votojë diaspora por edhe propozimin që ky proces të menaxhohet nga një kompani ndërkombëtare.
“Votimi me zarf do ishte një oportunitet mjaft i mirë. Këtu pastaj mund të kemi një element të kësaj natyre që vlen të diskutohet. Ne kemi afërissht gjysmën e popullsisë jashtë. Pra secili do ketë zarf? mendoj se duhet të ketë një shprehje interesi. Unë jam Pandeli Majko, banoj në Otaëa do doja të përfshihesha dhe më pas i shkonte zarfi.
Një kompani ndërkombëtare do ishte më mirë se sa t’i jepej Postës Shqiptare se menjëherë për drejtorin do fillonin akuzat, kushëri i pestë apo i gjashtë. Kurse një kompani ndërkombëtare do ishte më mirë”, tha ndër të tjera Majko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb