*Blushi kishte të drejtë për statutin por zgjedh Ramën
*Projektimi i liderit të ri në PS? Majko: Protagonistë Tahiri e Veliaj, por të mos bëjnë gabimet e brezit të dytë
* Reforma në drejtësi, të mos kapen vetëm hajdutët e xhepave
* Politika blen një votë me 50 euro
* Në fillim reforma radikale, goditën edhe dyqanet e socialistëve
* Nuk dua ta bëj Check-up-in
* Shlyerja e borxheve të biznesit, sukses. Një këngë rome tek lagjja ime thotë “Rrugët i shtroi doktori, paratë i pagoi piktori”
TIRANË- Ish-kryeministri Pandeli Majko ka folur pa doreza në News24. Deputeti socialist, një nga mbështetësit e kryeministrit Edi Rama është prononcuar në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit për të gjitha çështjet e aktualitetit, çështjet e brendshme të Partisë Socialiste si dhe reformën në drejtësi.
“Arrij t’i kuptoj ironitë për rezultatin e referendumit. Për mua është një proces demokratik”, ka thënë Majko për referendumin që mbajti PS më 9 prill për t’i dhënë përgjigje dilemës nëse duhet të kishte zgjedhje për kryetar, rezultat që doli bindshëm kundër zgjedheve dhe pro Ramës. Por Majko ka dhënë edhe kritika për qeverisjen.
Duke folur për një emër të mundshëm që po projektohet në krye të Partisë Socialiste, Majko tha se si Veliaj ashtu edhe Tahiri janë protagonistë, ndërsa përmes humorit i këshilloi të mos bëjnë gabimet e brezit të dytë, duke iu referuar vetes dhe Metës.
Si e lexuat rezultatin 95% të referendumit?
I thellë shumë është. I mirëkuptoj ata që nga jashtë kanë bërë ironi, por unë nga brenda e shikoj si një proçes demokratik. Ne mbetemi ndër partitë që e ushtrojnë këtë ushtrim demokratik.
Sipas Blushit është vëzhguar vetëm vitrina, Tirana ndërsa në rrethe ka pasur probleme? Si ju duket procesi?
Proces pa probleme vështir se gjen në Shqipëri. Mund të të flas për njësinë 5, ne jemi jashtëzakonisht korrekt.
Keni informacione për procesin në rrethe?
Nuk kam shumë, pas asaj që ndodhi në kongres nuk pritej një rezultat i ndryshëm. Pritej që të kishte një ushtrim demokratik.
Si shpjegohet që demokracinë e kuptoni me 95%?
Është votim brenda një familje, nuk ka ballafaqim. Edhe pala që ishte shprehur në kongres kundër një fryme nuk bëri ndonjë fushatë. Nuk e shoh PS si kulmin e një partie perëndimore edhe ne kemi probleme…Ne mund të kemi probleme të natyrave nga më të veçantat por ne fletë votimi me numër nuk bëjmë. kam parasysh zgjedhjet e fundit..
Jeni pro apo kundër hapjes së kutive të referendumit, pasi Blushi akuzon se procesi u trukua?
Kjo temë me të mirat dhe të këqijat e veta është mbyllur
A ka Blushi të drejtë?
Blushi kishte të drejtë statutore tashmë është një histori që përsëritet në një kontekst tjetër…
Sipas Blushit procesi është trukuar…
Dhe pastaj…
Të gjithëve na habit rezultati 95%?…Pse nuk hapen kutitë?
Si sport mund edhe ta diskutojmë…
Jo si sport…
Kolegu im i tha se ka një komision zgjedhor, atje duhet të ankohet. As hapja as diskutimi nuk më krijon ndonjë ndjesi politike.
Ju mendoni se nuk e kam ndjekur Blushin. Një gjë e kanë të gjithë të qartë që kreun e PS nuk e përcakton kreu i LSI dhe anasjelltas. Mbetemi në rrethanat e një ironie.
Nëse nuk do jetë Rama kryetar për 100 arsye, cili do jetë?
Dua të dëgjoj 100 arsyet. Nuk po i shmangem prononcimit por një shpjegimi teorik që nuk na nxjerr asgjëkund.
Ju flisni për zgjedhje të parakohshme…
Nëse situata do të vazhdojë kështu. Ftesa e Ramës për kreun e PD-së, ftesa më me vend që mund të bëhej ndonjëherë, shumë serioze nuk ishte nevoja të ridikulizohej. Mbetet ende në fuqi. Ftesa dhe ulja në tavolinë mbetet e vetmja lëvizje politike që mund të prodhojë politikë.
Ju intereson të flisni për përjashtimin e Blushit nga PS? Servet Pëllumbi ka thënë që tashmë është i përjashtuar..
Nuk e ka thënë kështu ka folur për një kontekst vetëpërjashtimi, por jo kështu. Nëse mund të konsiderohet një gjysmë përjashtim, është një gjë që e kemi pranuar si një moment delikat që solli krijimin e LSI-së. Ajo nuk ishte një përjashtim, por një shmangie që i vuri një grup kolegësh në një situatë të vështirë. Ku është Blushi i përjashtuar? Në mbledhjen e grupit e kisha në krah.
Ju thoni që të ngrohë karrigen?
Problemi më i madh i tij është që nuk e ngroh karrigen. Është një politikan mjaft vibrant, i mençur, çdo mençuri ka mend të vetë. Do zgjidhja Ramën se për të kam bërë 2 herë fushatë. Nuk përbën çudi.
Blushi partneri juaj politik?
Blushi partneri im?
Ju i dhatë të drejtë për kauzën por ishit me Edi Ramën?
Për pjesën e statutit kishte të drejtë. Ne kishim një boshllëk disa vjeçar të mos funksionimit të statutit dhe ky referendum ishte i nevojshëm edhe për këtë. Ishte për vakumin e shkeljeve statutore.
Ishte i nevojshëm?
Pa diskutim. Për fatin e keq unë nuk e dija që do dilte në media gjithë diskutimit në asamble. Referendumi më delikat në kuptimin e balancës me votat negative se një përballje.
Keni 25 vjet në PS, a është sot PS një parti më demokratike se më parë?
Çfarë prisni nga unë t’ju them se është më demokratike apo diktatoriale. Ne nuk jemi parti perfekte, kemi problemet tona, kemi patur gropat tona në histori. PD e ka shumë të vështirë të ngrihen në nivelin e Blushit për kritikën. Debati i brendshëm në PS është me një konotacion të tillë që e çon në periferi mënyrën e të bërit opozitë të palës tjetër.
Më e mira dhe bazuar në historikun e PS është që gjërat të vazhdojnë në mënyrë të ekuilibruar.
Si po e drejton Rama PS?
Perfekt, shkëlqyeshëm, yll! Këtë doje nga unë.
Veliaj dhe Tahiri janë një dyshe e padiskutueshme si unë dhe Meta vite më parë, keni thënë ju në fushatë, por a i shihni si pretendentët për kryetar partie?
Kjo do më hapte probleme… Po ja mund të thosha që këta janë dyshja që do konkurrojnë por çfarë ka ndodhur kemi humbur zgjedhjet apo çfarë? Më duket një diskutim pak i përhapur. Janë dy protagonistë të brezit të tretë të PS, me një lloj humori iu drejtohem në publik, mos përsërisni gabimet tona, të mijat dhe Metës, të brezit të dytë. Ndryshe s’do ishim sot në parti të ndryshme.
Ndoshta Meta është i kënaqur në partinë e tij?
Do të duhej një natë dimri për të diskutuar..
Mendon që është penduar?
Jo, nuk besoj
A po projektohet Veliaj si lider?
Do vijë natyrshëm lideri, po ju them se diskutimi është gjysmë i vdekur pa filluar
Midis Veliajt e Tahirit jeni gati të zgjidhni?
Për mua të dy janë protagonistë por ka edhe të tjerë. Eshtë edhe një palë protagonistësh të tjerë, po flasim për FRESSH-istat e rinj.
Denoncim në emisionin “Stop” për një qytetar që ka votuar 2 herë në referendum. Kanë marrë një njeri i kanë thënë voto dhe ka votuar në 2 vende, çfarë mendoni për këtë?
Ne kemi lejuar njerëz që pavarësisht se nuk ishin në listat e organizatave edhe kur ishin me teserat me lulëkuqe, e kemi bërë më një ndjenjë vetëdije, dashamirësi që referendumi është i hapur. Brenda kësaj mund të kenë ndodhur. Ka qenë një histori absolutisht perfekte. Por si frymë, Eni rezultati i referendumit është i padiskutueshëm. Momente të tilla nuk e cenojnë rezultatin. Nuk ka histori kaq të balancuar mes një shumice dhe një pakice në PS. Situata e disbalancuar. Jam i kujdesshëm në trajtimin e kolegeve, si Blushi. Nuk është problemi si sillemi ne në marrëdhënie me të, por se si ndihet një socialist, se është i papunë apo se gjërat nuk janë siç i kishte menduar ai. Ky raport i kujdesshëm nuk është piruetë, por kujdes. Unë problemin e kam mos më shqetësohet ky socialist.
Si është puna që ky socialist voton 95% atëherë?
Një pjesë e madhe ju funksionon vetëdija e mbrojtjes së familjes. Kjo duhet përkthyer kështu. Ka njerëz të pakënaqur, pa punë, i kanë fëmijët pa punë. Unë sot jam i kontraktuar nga dreka sepse isha tek zyra e punës dhe ngaqë isha i kontraktuar për arsye të tjera, u solla ashpër në disa raste. Sepse njerëzit kanë hallet e tyre. Unë përpiqem brenda mundësisë maksimale që po më patë ndonjë ditë më hënë të keqe ju kërkoj ndjesë. Kjo ka të bëjë tek fakti se nuk ka rendësi se si është rezultati i referendumit por raporti me atë njeriun që na voton.
Ndjesa e Ramës në Asamble…
Rama e ka ndjerë dhe e ka thënë sepse e ka ndjerë.
Çfarë ndodhi që ndryshoi mendje që po Blushi ka të drejtë?
Edi Rama nga ajo ndjesë nuk është se humbi, përkundrazi.
Ta quajmë kalkulim?
Pse ta cilësojmë kështu. Është kryeministër, kreu i PS mund ta kalonte edhe ndryshe.
Reforma në drejtësi ka ngecur tek dialogu politik. Mendoni se nuk do ndryshojë situata?
Nuk kam qenë kundër negociimit politik. Mund t’ju them se gati 90% e gjërave janë zgjidhur. Palët kanë rënë dakord për infrastrukturën si do funksionojë reforma. Nëse do ecnim normalisht sot reformën do e kishim të depozituar. Po të mos ndodhnin këto protestat për parkun, kërkesat për kolegët e mi në Kushtetuese…
Ju po thoni që qëndrimi i PD ishte i qëllimshëm?
PD ka një mënyrë të gabuar të mendimit politik. Të dyja palët fitojnë nga ulja në dialog. Sot Rama ka nevojë për Lulzim Bashën dhe Lulzim Basha ka nevojë për Edi Ramën. Gjithë atmosfera politike dhe prodhimi i politikës do të përfitonte. Ne sot jemi të bllokuar për histori rastësore.
Pse i paragjykoni kauzat e opozitës?
Nuk janë kauza të natyrës esenciale. Do e kisha mbyllur gojën sot, nëse opozita do ta bllokonte podiumin për interesat e pronarëve. Unë se kam votuar, por nëse PD do dilte do t’i hiqja kapelën PD-së. Për çfarë e ka bllokuar për 2 mandate të kolegëve të mi.
E quani ftesën si moment reflektimi…
Ka kaluar puna e bajlozëve që ulen dhe bëhet nami se u ulën. Mënyra se si është prodhuar historia nga 90-ta është në mënyrë të tillë që edhe ai sherr i madh mes PD-PS ishte pa thelb dhe pjesë e një varfërie politike.
Ulja në tavolinën e bisedimeve për reformën në drejtësi është shumë e rëndësishme. Shpresoj se do të ndodhë. Është një lëvizje që të dyja partive iu ka mbetur për ta bërë dhe do prodhojë politikë.
Deklarata juaj se nëse nuk ka zgjidhje për reformën në drejtësi ka zgjedhje…
Deklarata e partnerëve se nëse kjo histori nuk mbyllet brenda majit mund ta shtyjë me vite integrimin e bën edhe më thelbësore.
Dëshiroj të them se reforma në drejtësi ka të bëjë me mënyrën se çfarë raporti do krijojmë me të ardhmen. Kjo punë nuk zgjidhet me historinë e dekriminalizimit. Ne sot na duhet një sistem gjyqësor eficient.
Nëse nuk ka zgjidhej, ju propozoni zgjedhje?
Nëse nuk ndodh Shqipëria hyn në kolaps, politik dhe moral. Në kolaps edhe me Brukselin.
Çfarë zgjidhin zgjedhjet?
Sipas meje nuk mund të shkojmë në parlament vetëm për të marrë rrogat. Nëse nuk do ketë zgjidhje jemi të detyruar të shkojmë në zgjedhje, por kemi një ftesë.
Si mund të ndodh teknikisht?
E mira është të mendojmë skenarin pozitiv. Teknikisht secili mund të hapë Kushtetutën. Mendoj se kjo është një gjë mund të shihet në detajet e veta. Mos pretendoni se mund të them se PS do tërhiqet nga qeveria.
Pyetja ime për të kuptuar se çfarë do ndryshonin zgjedhjet…
Ne kemi sot përballë një kundërshtar që nuk merr vendim. Jemi në pritje të një vendimmarrje nga ana e PD-së. Nuk mund të nxjerrësh detaje, të lësh peng integrimin e Shqipërisë. Po jetojmë një histori që po na rrënon çdo ditë.
Pres një zgjidhje nga dialogu që të votojmë reformën në drejtësi. Do dojë shumë kohë dhe s’mund ta bëjmë të vetëm. Do na duhet të ulemi me palën kundërshtare. Nga ky lloj konteksti, bllokimi është pa sens.
Keni një ide se kush e do dhe kush nuk e do reformën në drejtësi?
Raporti i politikës me reformën në drejtësi është si një person që i është dhënë dënimi me varje dhe i kërkon të bëjë trekëndëshin vetë. Këtë lloj psikike unë e ndiej. I jam mirënjohës kolegëve që janë të panegociueshëm në ecjen në këto principe të reformës në drejtësi. Në grupin parlamentar të PS nuk ka njeri, kriminelë, manipulues e banda. Ky grupi kaq i tmerrshëm nuk del njeri të thotë që s’duam ta bëjmë reformën në drejtësi.
Kjo reformë drejtësi është jashtëzakonisht e rëndësishme. Çfarë sistemi do kapim ne me 60 e ca vota. Kush e thotë këtë është nonsens, fillon nga matematika tek politika.
A ka mosmarrëveshje mes koalicionit?
Jo nuk ka asnjë problem. Infrastruktura është mbyllur dhe kanë mbetur detajet e fundit të përmbylljes së kësaj reforme jetike.
Reflektimet për reformën në drejtësi..jeni dakord për çdo propozim?
Tani që flasim për bllokimin e reformës shoh më shumë aktrim se sa thelb arsyesh. Ne kemi bërë ndryshime, gjithçka sipas frymës së Venecias. Jam i bindur për këtë infrastrukturë. Ky sistemi tjetër që duket i komplikuar i thotë politikës largoji duart, për togat e zeza vendosin togat e zeza.
A është pandëshkueshmëria problemi më i madh?
Absolutisht, sot e nuk ndan dot kush është fajtori nga jo fajtori. Edhe politikanët duken se janë të gjithë njësoj. Në zgjedhjet e fundit një votë vajti 50 euro..Kjo politikë që paguan 50 euro për votë e bën se do ta nxjerrë 100, 200 apo më shumë. Kjo histori ku gjykatësit dhe prokurorët nuk përballen matanë një niveli të caktuar dhe merren me hajdutët e xhepave duhet të marrë fund…ajo që funksionon si legale e ka bërë kërkuese këtë reformë. Gjyqtari do ta kuptojë se varet nga kolegu i tij dhe jo nga politikani. Ne na nevojitet jo vetëm të mbushim formularët por të kthejmë besimin e qytetarëve, besimin e rrënuar. Mungesa e drejtësisë po përbën thelbin e mosbesimit që kanë qytetarët tek sistemi…
Korrupsioni, a duhet të ishte qeveria më agresive?
Si front lagje mund të ishte po duhej një prokuror dhe një gjykatës që ta dënonte. Nuk është vetëm vullnet qeveritar…por dënimi është histori tjetër.
Ju nuk e keni treguar vullnetin me dy kolegët socialistë…
Ne në fillim ishin kundër por vlerësoj vullnetin e kolegëve për ta lënë vetë mandatin.
Si e shikoni përfshirjen e amerikanëve në reformë?
Është në bashkëpronësi, nuk bëhet vetëm për interesin tonë ka të bëjë me zënien e një vendi në BE.
Një vit më parë keni thënë se qeveria bën reklamë por nuk po di të shpjegojë thelbin…
Rama ka një fenomen estetik që për disa arsye mendoj që po përsëritet edhe nga opozita e sotme. Mënyrën e konferencave, ulje në sheshe, tavolina, diskutime. Rama i përket brezit të politikanëve që e ka futur si kulturë këtë fenomenin estetik. Facebook dhe Tëitter e hapa se ngacmohesha nga ai. Ai e rëndon peshoren nga estetika, i jep më shumë rëndësi formës se përmbajtjes, merret me estetikën dhe jo me thelbin.
Kjo qeveri e nisi punën me disa reforma, disa i quajtën masa shtrënguese. Si i keni parë ju të gjitha këto reforma?
Në fillim kam pasur rezervat e mia dhe e kam shprehur në parlament. Radikalizmin në marrëdhëniet e CEZ-it me qytetarët. Ne që i shikonim njerëzit si UFO që nuk paguajnë energjinë ata i shikonin si UFO përfaqësuesit e CEZ-it. Për arsye që lidheshin me mua dhe që kisha të bëja me njerëzit, do kisha një lloj distance. Fillimet kanë patur pjesën e tyre radikale që krijoi një efekt negativ. Goditi dhe dyqanet e socialistëve që ca ishin goditur nga qeveria e kaluar tani erdhën këta të tjerët…
Nuk është mjaltë situata, ka goxha probleme në vazhdim. Një pjesë e administratës lë për të dëshiruar, disa raste disaster. Kjo është marrëdhënia bazë për të cilën duhet të shqetësohemi.
…
Absolutisht vazhdon që mjekët kërkojnë lek. Vazhdon sepse nuk është dënuar asnjë. Prapë kthehemi tek tema e reformës në drejtësi. Nga qeveria ka vullnet por përballë një kulture…
Pse e quani kulturë dhe jo paaftësi të qeverisë?
Pas 3 vitesh një parti politike që ka krijuar kushtet, nuk i kemi thënë me një ide që gjithçka do zgjidhet 24 orë pas zgjedhjeve. Por nëse dikush më thotë se qeverisja është fondamenti për të ndryshuar marrëdhënien e shtetit me qytetarin kam dyshime të mëdha.
Cila është gjëja që keni bërë më mirë?
Kjo që kemi bërë në kufijtë e aventurës. Qeverisja e kaluar kishte shpenzuar me bizneset një shifër të frikshme. Këto firma kishin marrë kredi që ishin kthyer në kredi të këqija dhe që ishin në prag falimenti. Qeveria mund edhe ta ndante në 10 vite por 700 mln dollarë i hoqi me 2 buxhete. Histori suksesi.
Keni marrë borxh për të larë borxhet, kjo është sukses?
Është një këngë rome tek lagjja ime “Rrugët i shtroi doktori, paratë i pagoi piktori”. Kjo që është bërë në kufijtë e aventurës, duhet respektuar.
Ky borxh është larë me paratë e taksapaguesve. Idetë që kemi marrë borxh për të larë borxhet, nuk i përket. Ky është një sukses, gati i padukshëm.
Për çfarë do mbahet mend kjo qeveri?
Ta mbarojmë mandatin.
Ekonomia?
Ku ka biznese të kënaqura. Kush paguan me qejf taksa. Death and taxes thotë perëndimori.
Ju po thoni që ka një përgjegjësi personale?
Ne sapo kemi mbyllur një reformë që ka të bëjë me zgjedhjet lokale, territorialja. Një pjesë e njerëzit janë të interesuar të marrin shërbimet atje ku i kanë marrë. Ti si qytetar e quan dështim, unë them ristrukturim. Mund t’ju sjell shembuj të keqqeverisjes por nuk e shikoj si fenomen.
Unë kam rezervat e mia për ekonominë. Në këtë drejtim jemi pak nën presionin e BB dhe FMN por nuk mund të na shmangë nga një logjikë liberale me biznesin. Ne duhet të bëjmë: ajo që është mirë të bëhet duhet bërë. Nëse nuk bëjmë diçka që nuk respekton konceptin e së majtës është disastër.
Dua një projeksion se çfarë do japim me koncesion, jo të na dalin si luledele.
Me koncesionin e TVSH-së jeni dakord?
Nuk njoh detajet. Si ka mundësi që një parti e majtë të ketë dhënë koncesionet më të suksesshme dhe të gjitha privatizimet strategjike në qeverinë e djathtë janë një tmerr i vërtetë.
Check up-i është i mirë?
Nuk dua të flas. Nuk kam një pasqyrë të qartë, një pamje të plotë. Beqajn e kam mik. Nuk dua ta bëj check up-in. Marrëdhënia me qytetarin dhe cilësia e shërbimeve të bashkëlidhura. Nuk mund të sjellësh pajisje kur ngjitur ke një shërbim që ç’të të them. Kjo duhet balancuar.
A është diskutuar në grup performanca e qeverisë?
Është diskutuar, kanë ardhur ministrat kanë dhënë informacion.
Cila është ideja pas këtyre informacioneve?
Ka disa muaj informacioni. Diskutim shumë komod brenda një partie.
Cili është dikasteri që çalon më shumë?
Nuk do isha i ndershëm, si për kolegët e partisë sime edhe për kolegët e partisë tjetër.
Check up-in nuk do ta bëni?
Pyetje tjetër.
Qëndrojmë tek koalicioni. Keni thënë se do ishit për koalicionin e 21 janarit…
S’kam ndërruar mendje.
A është një koalicion bashkëpunues?
Është koalicion bashkëpunues. Të dyja palëve na ka ardhur në majë të hundës me punësimet. Garë e hidhur që nuk ka prodhuar asgjë përveç një administrate të mbaruar.
Një doktor i mirë,- hiq doktor Berishën, i mirë ka qenë- mbetet i mirë. Një mësues i mirë, mbetet një mësues i mirë. Nëse e fusim politikën këtu e kemi djallosur.
A është e vërtetë që ka një frymë negative për qeverinë Rama?
Ku? Keni parë që të gjithë të jenë të lumtur me qeverisjen.
A duhet të ndryshojë në strategji PS për të fituar zgjedhjet?
Absolutisht po…besoj që nuk ia vlen që të zgjedh tavolinën tuaj që ti them të gjitha, nuk jam as ndonjë rrëfimtar në kisha…
Si mund të bëhet opozitë në vend?
Kam konflikt interesi, jam me qeverinë
FRESSH Voice çfarë është?
Nëse mund të ketë një strukturë ëndrre është ky brez që po vjen, por kam frikë që mos preken nga kultura që e shohin politikën si një vend që merr lekë. Pra, të vijnë në politikë dhe të mësojnë hilen para rregullave.
Pse kishit nevojë për ketë hapje?
Që të mos dukej e plakur…Nëse nuk prodhon ëndërr më mirë të ikësh në shtëpi, jo të dalësh në podium dhe të thuash gomarllëqe. Esenciale për të majtën është raporti me individin.
A do bashkohet Rama e Meta në një parti?
Përrallë e bukur e një nate dimri të bashkosh Ramën dhe Metën në një parti…
Rrëzimi i helikopterit të MM-së, si e komentoni?
Po pres ekspertizën edhe sikur të ishte super transparente do e gjenim një legjendë urbane që ka edhe një variant kështu edhe ashtu…
A duhet të patrullonte ai helikopter aty?
Është çështje thellësisht ekspertësh
Jeni bërë një shtetas kosovar?
Përjetoj fatin normal të historisë së popullit tim, shtetas i dy shteteve por i një kombi..pa harruar shtetasit që mbesin në Maqedoni etje..
Ju quheni edhe si kryeministri i luftës, çfarë mendimi keni për emigrantët e luftës?
Duhet të hapen kufijtë, ky është qëndrimi im, në çdo moment që njerëzit trokasin. S’ka të bëjë fare me grekët, ne jemi një shtet që kemi prodhuar emigrantë. Nëse kemi respekt për veten duhet të bëjmë atë që të tjerët kanë bërë me ne.
(ma.ar/m.k/BalkanWeb)