TIRANE – Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar për anëtarësimet e reja në Forumin Rinor të PS-së, deputeti Pandeli Majko u kërkoi të rinjve të mësojnë nga të metat e tyre. Duke iu referuar diskutimeve gjatë Kongresit të PS-së, Majko tha: “Duhet të mësoni dhe nga të metat tona, të vendosni të bëheni pjesë apo jo të dialogut tonë të djeshëm hamletian, “të jesh a të mos jesh”.

Ndërkohë, përveç Majkos, në jurinë që do të përzgjedhë djemtë dhe vajzat që do të drejtojnë organizatat e FRESSH-it në të gjithë Shqipërinë ishin edhe: Elisa Spiropali, Arlinda Dudaj dhe Gaz Paja.

Spiropali: Forumi rinor i PS ka bërë histori dritëhijesh, sigurisht më shumë dritë se sa hije dhe është i pakonkurueshëm në skenën e forumeve shqiptare. Por ka nxjerrë dy kryeministra njëri pas tjetrit, nuk ka forum rinor në botë ta ketë bërë këtë. FRESSH ka prodhuar fytyra, emra histori e me radhë.

Dudaj: Besoj se ky brez i ri të rinjsh dhe të rejash do ta vazhdojë ta çojë përpara këtë ndryshim. Jam këtu për të dhënë kontributin tim modest. Do bëjmë maksimumin për të përzgejdhur gocat dhe çunat më të mirë dhe me të aftë që do të udhëheqin organizatat e FRESSH-it në të gjithë Shqipërinë.

Gaz Paja: Të qënit anëtar jurie ma bën të vështirë punën, sepse më duhet të zgjedh më të mirën ose më të mirin mes më të mirëve. Ju jeni fresh në ide, në punë fresh në moshë. Besoj dhe Pandi ndjehet si 20-vjeçar energjik mes jush. Jeni fresh jo si parti, por si mendësi, si dashuri, ju priftë e mbara.

RAMA
Në fjalën e tij, kryeministri Rama vlerësoi 4 anëtarët e jurisë, ndërsa nismën e re “FRESSH Voice” ai e quajti një projekt ambicioz që synon të projektojë liderët e së ardhmes.

“Është një projekt i thjeshtë me 4 protagonistë të komplikuar që nga Pandi, Arlinda, Elisa dhe Gazi. Vijnë nga disa rrugë të jetës me një histori karriere të padiskutueshme. Konkursi i madh kombëtar bëhet për të zbuluar liderët e rinj në çdo komunitet të vogël, në çdo qytezë dhe qytet, qark dhe në rang kombëtar. Është një FRESSH Voice për aktivizmin qytetar, në funksion të ideve të tyre politike. Do jetë një eksperiencë e padiskutueshme për vajzat dhe djemtë, s’ka limit dhe diskriminim për tu bërë pjesë e audicioneve. Fituesit do përcaktohen nga juria shumë ekzigjente”.

Rama shtoi më tej se “FRESSH Voice” është një kapërcim, trend i ri që do jetë një eksperiencë shumë e rëndësishme për të kuptuar se jo vetëm kush mund të jenë liderët e rinj të gjeneratës tjetër dhe në PS, por për të kuptuar sa shumë potenciale mund të zhvillojë pjesëmarrja në debat, në këtë konkurs përballë jurisë. Kjo juri është e pakorruptueshme, as nga tarafet, kushërinjtë, të njohurit…”

Majko: Nga e nxore konkluzionin

Rama: E kam nga eksperienca s’të kam korruptuar dot asnjëherë

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: