TIRANE- Kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, është shpallur xhudistja më e mirë në Evropë për vitin 2014.

Kelmendi ka marrë sot zyrtarisht çmimin “Xhudistja më e mirë në Evropë” për vitin e kaluar. Vitin e kaluar, ajo mbrojti titullin e kampiones botërore në xhudo duke mposhtur në finalen e Kampionatit Botëror në Rusi, Andrea Chitun nga Rumania.

Për të arritur në këtë finale, Klemendi mposhti fillimisht Vanessa Cortesian nga Venezuela, pastaj Bundma Munkhbaatarin në çerekfinale dhe në gjysmëfinale “shkatërroi” rusen Natalia Kuiutinan që e kishte mposhtur edhe vitin e kaluar.

Në listën e saj të medaljeve, Kelmendi ka edhe Medaljen e Artë nga Kampionati i fundit evropian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ka uruar Majlinda Kelmendin për shpalljen si “Xhudistja më e mirë në Evropë për vitin 2014″.

“Ditë e madhe për xhudon e Kosovës! Majlinda u shpall më e mira në Europë, për të dytën herë rresht, ndërsa Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova do të mbrojnë ngjyrat e Republikës sonë në Lojërat Europiane në Baku. Suksese gjeneratës së artë të xhudos”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Edhe ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala uroi xhudisten e Kosovës Majlinda Kelmendin. “Ky është lajm jashtëzakonisht i mirë për sportin e Kosovës”, tha ministri Shala dhe shtoi se, “MKRS-ja është e përkushtuar që të krijojë kushte sa më të volitshme për sportin e Kosovës, për prezantimin dhe përparimin e tij në arenën ndërkombëtare”

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: