Kancelari Gjerman, Adolf Hitler, i ka bërë mbretit Zog dhuratë një Mercedez sportiv kabriole i kuq, e cila mund të konsiderohet një superdhuratë. Makina mbërriti në Shqipëri duke ardhur nga Shkodra, dhe për prodhimin e saj u deshën thuajse 6 muaj. Kjo makinë ishte kryevepra inxhinierike e kohës dhe maksimumi i luksit që njihej.

Sipas “Corriere della sera” ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Në fakt, gazeta italiane gabonte. “Mercedez Benzi” që i ishte dorëzuar Mbretit Zog, më 19 prill të 1938-ës, ishte model 540K kabriolet, i njëjtë me atë që Hitleri i kishte dhuruar po atë vit për martesën, Mbretit Faruk të Egjiptit dhe liderit sovjetik, Stalinit, me rastin e 60 vjetorit të lindjes.

Makina ishte e kuqe, me veshjen e brendshme bezhë, me stemën mbretërore të stampuar në të dy dyert.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Zogu e mori atë me vete në Britani. Ajo figuron e regjistruar në Londër me targën “ENX 957”, por Mbreti doli me të vetëm një herë.

Në vitin 1944 nën shtytjen e Geraldinës, ai i dhuroi makinën Kryqit të Kuq Britanik dhe ky i fundit, ia shiti një personi privat në vitin 1946.

Për herë të fundit figuron pronë e një koleksionisti makinash, që në vitin 1987 e vendosi në një muzeum në Ilinois për 3 vjet. Më pas, u shënua se e mori i zoti dhe nuk dihet se ku gjendet më.

Besohet se ajo është pjesë e koleksionit privat të stilistit të njohur Ralph Lauren, por deri më tani ky i fundit as e ka pohuar dhe as e ka mohuar këtë gjë.

Simotra e saj identike, makina e Mbretit Faruk, u shit në vitin 2006 në një ankand në Monte Carlo për shumën 921 mijë Euro! Makina në foto është ajo e Farukut, identike me atë të Zogut. Diferenca e vetme është se e Zogut kishte një të kuqe më të pastër

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: