Autoritetet amerikane thanë se një person vdiq dhe shtatë të tjerë u plagosën të mërkurën kur një makinë Tesla që duket se transportonte fishekzjarrë, mori flakë dhe shpërtheu jashtë hotelit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Las Vegas.

Zyrtarët e Policisë Metropolitane të Las Vegasit dhe Departamentit të Zjarrfikësve të qarkut Clark thanë në një konferencë shtypi se një person vdiq brenda kamionit me pamje futuriste dhe ata po punonin për të nxjerrë trupin. Shtatë persona aty pranë pësuan lëndime të lehta dhe disa u dërguan në spital.

Sipas një zyrtari të zbatimit të ligjit, kamioneta ishte marrë me qira përmes aplikacionit Turo dhe dukej se ishte i ngarkuar me fishekzjarrë. Zyrtari foli me kusht që të mos i përmendej emri sepse nuk ishte i autorizuar të flasë publikisht.

Drejtorit ekzekutiv i Tesla-s Elon Musk, tha të mërkurën pasdite në rrjetin X se “e kemi konfirmuar tani se shpërthimi u shkaktua nga një sasi e madhe fishekzjarrësh dhe/ose një bombë e mbajtur në shtratin e kamionetës së marrë me qira dhe nuk ka lidhje me vetë makinën. E gjithë telemetria e automjetit ishte pozitive në momentin e shpërthimit”, shkroi ai.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk e kanë përjashtuar terrorizmin si një motiv të mundshëm, tha një person i njohur me këtë çështje, i cili foli me kusht që të mos identifikohej meqë nuk ka autorizim diskutojë publikisht hollësitë e hetimeve.

“E di që keni shumë pyetje”, u tha gazetarëve Jeremy Schëartz, agjent special i ngarkuar për zyrën e FBI-së në Las Vegas. “Ne nuk kemi shumë përgjigje”, shtoi ai.

Presidenti Joe Biden u informua për shpërthimin, i cili ndodhi disa orë pasi një person përplasi një kamion në një turmë në lagjen e famshme franceze të New Orleansit herët në ditën e Vitit të Ri, duke vrarë të paktën 15 persona përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.

Eric Trump, djali i presidentit të zgjedhur postoi në lidhje me zjarrin në platformën e mediave sociale X. Ai lavdëroi departamentin e zjarrfikësve dhe forcat e policisë lokale “për reagimin e tyre të shpejtë dhe për profesionalizmin”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb