TIRANË

Mid’hat Frashëri do të prehet nga sot në tokën shqiptare. Eshtrat e tij janë sjellë nga New Yorku, SHBA për t’u prehur pranë vëllezërve Frashëri në parkun e liqenit artificial. Në homazhe kanë marrë pjesë qindra, mijëra qytetarë, të cilët kanë vlerësuar figurën e Mid’hat Frashërit dhe e kanë vlerësuar të drejtë vendimin për sjelljen e eshtrave të tij.

Ndërkohë shkrimtari e piktori Maks Velo në një prononcim për Neës24 vlerësoi nga ana shkencore e intelektuale figurën e Mid’hat Frashërit por dhe qëndrimin e tij politik si antikomunist dhe properëndimor, shkruan “BalkanWeb”.

“Më duket se ai nuk i ka përçarë shqiptarët. Shqiptarët janë përçarë shumë herë por vetë. Nuk është Mid’hat Frashëri ai që i ka përçarë. Fakti që ka kaq shumë njerëz në homazhe e tregon këtë. Mid’hat Frashëri ka disa vlera. Ajo që unë vlerësoj shumë dhe për të cilën kam ardhur është ana intelektuale e tij. Shkrimet e tij, publicistika e tij, ana shkencore e tij, dëshira e tij për t’u bërë një institut albanologjik. E vlerësoj nga ana shkencore Mid’hat Frashërin. Ana politike është shumë e diskutueshme. Ka dy pika që e mbrojnë Mid’hat Frashërin, fakti që ai ishte antikomunist dhe e dyta që qeveria amerikane nuk e arrestoi. Po të ishte kundër aleatëve, kundër botës demokratike amerikanët do e kishin gjykuar. Por fakti që ai vazhdoi veprimtarinë e tij, tregon që ai ishte një figurë e madhe properëndimore. Në shkrimet e tij ka shumë detaje të vyera. Qeveria ka bërë një vendim të drejtë me sjelljen e eshtrave.

Ne jemi të përçarë për shumë probleme dhe ky nuk është faji i Mid’hatit. Për çdo problem jemi fragmentar, kundërshtues, e me interesa të ndryshme. Por sjellja e eshtrave të Mid’hatit bën që ne të bashkohemi”, deklaroi Maks Velo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb