Fitorja e Teutës ndaj Tiranës para pauzës së kombëtareve ishte rezultati i duhur për blutë, pasi kjo skuadër kishte nevojë më shumë se kurrë për tri pikët. Tani ekipi është më i qetë dhe i është rikthyer besimi, sepse tregoi se ka forcë për t’u përballur me çdo rival në këtë kampionat. Idetë e Edi Martinit po vihen në zbatim dhe në klub shpresojnë që të nisin një cikël me rezultate pozitive dhe të ngjitet akoma më shumë në tabelën e klasifikimit.

EGNATIA – Të shtunën Teuta rinis rrugëtimin e vet në Kategorinë Superiore. Kësaj here durrsakët do të jenë mysafirë në qytetin e Rrogozhinës, aty ku do të përballen me Egnatian, kampione në fuqi. Në fakt durrsakët janë një ndër skuadrat më të vështira për Egnatian. Si në transfertë, ashtu edhe në Durrës. Rrogozhinasit nuk kanë një bilanc të mirë. Mjafton të thuhet se për herë të fundit ata fitonin në Elbasan ndaj Teutës, më 23 dhjetor 2021 me shifrat 1-2 me gola të Artur Maganit.

Që nga ajo kohë durrsakët kanë njohur vetëm fitore ose barazime. Praktikisht, janë plot 11 ndeshje radhazi që Egnatia ka dalë pa pikë të plota ndaj Teutës. Blutë shpresojnë që edhe njëherë të përsëritin historinë e viteve të fundit përballë kësaj skuadre. Fakti që në Durrës ka një moral më të mirë pavarësisht vështirësisë, ngjall shpresë se edhe kësaj here blutë nuk do të dalin duarbosh, në një kohë që edhe barazimi mund t’i lërë të kënaqur.

GRUPI – Me shumë gjasa Edi Martini do ta ketë të plotë grupin në këtë ndeshje, sepse përpos faktit që nuk raportohet për lojtarë të dënuar apo dëmtuar, rikthehet dhe sulmuesi Rrok Toma, i cili ishte pjese e kombëtares U-21. I riu është bashkuar me grupin në stërvitjen e djeshme. Pritet që tekniku të hedhë në fushë nga minuta e parë formacionin më të mirë, duke shpresuar të bëjnë një ndeshje akoma më të mirë sesa ajo kundër Tiranës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb