Gjykata e Apelit në Mal të Zi vërtetoi vendimin me të cilin shtetasi malazez, Vllado Zmajeviç është dënuar me 14 vjet burgim për veprën penale: krime lufte kundër civilëve. Gjykata e Apelit i kundërshtoi të gjitha aneksat e avokatëve mbrojtës të Zmajeviçit, duke mbështetur aktgjykimin e dhënë më parë nga Gjykata e Lartë në Podgoricë.

Zmajeviç, ish-vullnetar dhe pjesëtar i ushtrisë jugosllave është dënuar për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër afër Gjilanit në vitin 1999. Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit në Podgoricë i kanë pranuar provat në bazë të të cilave Zmajeviç fillimisht ka vrarë një bari sepse ai i është përgjigjur në gjuhën shqipe.

I njëjti më pas ka vrarë edhe dy burra dhe një grua para shtëpisë së tyre. Gjykatësi i rastit tha se në hetimin e parë Zmajeviç ka pranuar se i ka kryer këto vrasje, por gjatë procedurave gjyqësore i ka mohuar rrëfimet paraprake.

Përfaqësuesi ligjor i familjeve të viktimave, Loro Markiç tha për Shërbimin e Ballkanit të Rel se familjet e viktimave besojnë se drejtësia është arritur pjesërisht.  “Familjet e dëmtuara konsiderojnë se ky është një ndëshkim i butë për veprat e kryera, sepse bëhet fjalë për viktima që kanë ushqyer familjet e tyre me bukë”, tha avokati Markiç.

Në luftën e fundit në Kosovë, më 1998/1999 janë vrarë rreth 13,500 persona. Të pagjetur mbeten më shumë se 1600 persona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb